Në orarin zyrtar të misionit të EULEX-it, seanca fillestare ndaj gazetarit Milaim Zeka nuk figuron fare. Sidoqoftë, ajo ka kohë që është caktuar për datën 15 maj 2014 (sot).
Gazetari Milaim Zeka dhe biznesmeni Rrustem Rukolli akuzohen për vepra të ndryshme penale, por që ndërlidhen me një proces të vetëm gjyqësor, atë që njihet si ‘Grupi i Drenicës’.
Derisa gazetari Zeka akuzohet për veprën penale të shkeljes së fshehtësisë, biznesmeni Rukolli akuzohet për tentim të pengimit të procedurës zyrtare.
Seanca është caktuar të mbahet në Mitrovicë duke nisur nga ora 10:00, raporton Tribuna.
Gazetari Zeka pritet të paraqitet me një avokat, ndërkohë që më herët gazetari dhe autori i emisionit “Pa Rrotlla”, këtë rast e ka cilësuar si tendencë të EULEX’it për t’ia mbyllur gojën gazetarëve.
Në njoftimin zyrtar të EULEX-it më 23 prill 2014, ishte thënë se një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) e ka parashtruar një aktakuzë kundër dy të pandehurve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
“Të dy të pandehurit akuzohen për veprën penale të ‘shkeljes së fshehtësisë së procedurës’, kurse njëri nga këta të pandehur është akuzuar gjithashtu për veprën ‘tentim i pengimit të provuarit ose procedurës zyrtare”, pati deklaruar EULEX-i.
“Këto vepra ndërlidhen me të ashtuquajturin ‘Rasti Drenica’. Rasti është duke u hetuar nga një prokuror ndërkombëtar nga PSRK-ja”, është thënë në njoftimin e EULEX-it dërguar medieve.
Por vetë gazetari Zeka, pati thënë se qëllimi i EULEX-it me këtë aktakuzë, është frikësimi i gazetarëve.
“Kjo është e ndërtuar mbi thashetheme dhe është bërë për t’i frikësuar gazetarët. S’kam çfarë them më tepër, tash për tash”, ka thënë Zeka.
Zeka, në emisionin e tij “Pa Rrotlla” që transmetohet në RTK, kishte publikuar një intervistë me një dëshmitar të mbrojtur nga “Rasti Drenica”. /Telegrafi/






