Para 24 vjetësh, përleshja e tifogrupeve ‘Bad Blue Boys’ dhe Delije pati ndërprerë ndeshjen në Zagreb mes Dinamos dhe Crvena Zvezdës, të cilën shumë e konsiderojnë si zanafillë të ndarjes së ish-Jugosllavisë.
24 vjet nga dita e sotme ka ndodhur e ashtuquajtura: ‘Rrahja e Maximirit’, të cilën shumë njerëz e konsiderojnë si fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, derisa CNN këtë ndeshje ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe Crvena Zvezdës e ka vlerësuar në mesin e pesë ndeshjeve futbollistike që e kanë ndryshuar botën.
Më 13 maj 1990 është parë urrejtja e madhe ndërmjet kroatëve dhe serbëve. Ndeshja është bërë e famshme edhe për shkak të përballjes fizike të kapitenit të atëhershëm të Dinamos, Zvonomir Boban me policin Refik Ahmetovic, i cili më vonë ka deklaruar se kolegët i kishin sugjeruar të përdorë armën, por se ai kishte refuzuar.
Pjesë e Dinamos në atë kohë ishte edhe ish-futbollist kosovar, Kujtim Shala, mirëpo për shkak të pezullimit ai këtë ndeshje e kreu rolin e analistit në komentim.
Shala pati probleme me tifozët serbë, teksa në një intervistë dhënë pikërisht një vit më parë, kishte përshkruar problemin që pati me atëkohë udhëheqësin e tifozëve Delije, Arkanin, në pjesën e brendshme të stadiumit ‘Maximir’.
Për më tepër rreth kësaj përleshjeje, shikojeni videon e realizuar sot 24 vjet më parë:






