Steve Hanke, profesor i ekonomisë aplikative në Universitetin “Johns Hopkins” në Baltimore është autor i hulumtimit të “Indeksit të varfërisë” dhe sipas këtij hulumtimi Serbia radhitet ndër tri vendet më të varfra të botës. Hanke ka matur shkallën e mjerimit në 89 vende të botës, kurse Serbia në këtë listë është renditur e treta – pas Venezuelës e Iranit.
“Indeksi i varfërisë” është matur me manifestimin e faktorëve negativë ekonomikë: inflacionin, papunësinë dhe normat e kamatave, nga të cilat “zbritet” treguesi pozitiv ekonomik – shtimi i prodhimit shoqëror bruto. Sipas hulumtimit global për vitin e kaluar të Hankes, në fund të listës janë Japonia, Tajvani e Singapori, që do të thotë se atje manifestohen më së paku faktorët negativë ekonomikë.






