Spektri politik në Kosovë, me lehtësimin ndërkombëtar, kërkon sot kompromisin për formimin e Forcave të Armatosura dhe zgjidhjen e çështjes së 20 vendeve të rezervuara në Kuvend për minoritetet.
Pa një kompromis ndërmjet partive të shumicës dhe atyre të minoriteteve, do të ishte pak e imagjinueshme që të arrihet suksesi në votimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Themelimi i Forcave të Armatosura si edhe vazhdimi i ulëseve të rezervuara kërkojnë edhe ndryshime adekuate kushtetuese, shkruan “Tribuna”. Kurse çdo ndryshim kushtetues, kërkon miratimin e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga radhët e minoriteteve.
Andaj, përjashtuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjen, pjesa tjetër e spektrit politik po shprehet e gatshme që t’u vazhdojë pakicave mandatet e rezervuara në shkëmbim të votave të tyre për themelimin e FAK-ut. Mbështetje themelimit të FAK-ut, të martën i ka dhënë edhe ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson, e cila pritet të jetë edhe nikoqire e takimit të sotëm.






