Home OPIONIONE Kosova në takimet rajonale, “me rëndësi pjesëmarrja”…!

Kosova në takimet rajonale, “me rëndësi pjesëmarrja”…!

956
0
SHARE

Shkruan: Mustafë Kadriaj

Optimizmi te ne po dëshmohet në vazhdimësi edhe sipas raporteve ndërkombëtare. Populli i Kosovës gjithnjë është më optimisti për jetë. Interesant, jemi popull për studim, sepse ndokush do të mund ta mbronte ndonjë titull shkencor, ose do ta merrte ndonjë çmim për ndonjë përfundim në lidhje se ku e gjejmë gjithë këtë optimizëm ne si popull me një shtet jostabil, si në aspektin politik, po ashtu edhe ekonomik e social.

Për lexuesin ndoshta mund të shfaqet një dozë pesimizmi në këta rreshta, por realiteti ynë për çdo ditë po na detyron ta krijojmë këtë mendim për gjendjen që po mbretëron te ne si shoqëri. Është bërë si modë mospjesëmarrja jonë si vend nëpër nivele politik, ekonomike, kulturore e sportive (me përjashtim të Majlinda Kelmendit), ndërsa kur marrim pjesë në nivele rajonale, apo edhe më gjerë, për çdo dështim në këtë drejtim ne dimë ta arsyetojmë atë me klishenë “me rëndësi pjesëmarrja”. Duke e arsyetuar

vetveten, “ku kemi qenë, për ne tani është me rëndësi që po marrim pjesë”. Deri kur kështu? Edhe 18 vjet pas çlirimit dhe mbi nëntë vjet shtet, ne ende disfatat i kthejmë në “fitore”, me togfjalëshin e pakuptimtë: “me rëndësi pjesëmarrja”.

Kosova, që nga viti 2002 ka filluar me takimet rajonale, duke bërë marrëveshje edhe atëherë kur e përfaqësonte UNMIK-u, duke hyrë në marrëveshje kontraktuale në nivel të shteteve dhe organizatave të ndryshme ekonomike, me të vetmin qëllim që të zhvillohet ekonomia e tregut, bashkëpunimi rajonal dhe ai ndërkombëtar. Por, përkundër gjithë atyre marrëveshjeve, si në nivelin e shteteve si Shqipëria e Turqia, por edhe Marrëveshja Rajonale CEFTA, dhe tani edhe Marrëveshja për Stabilizim-Asociim (MSA), raporti tregtar i Kosovës me jashtë është 9 me 1, me mbi 84% import dhe 15% eksport. Ky trend po vazhdon edhe në vitin 2017, e këtë e vërtetojnë edhe raportet e Agjencisë Statistikore të Kosovës (ASK), meqë në muajt e parë të këtij viti kemi rritje të importit në krahasim me të njëjtit muaj të vitit 2016. Me një fjalë, ne jemi bërë vendi konsumit dhe transitit. Vend i konsumit, sepse përveç që ne nuk kemi kapacitet të prodhojmë as për nevojat tona, e aq më pak për të eksportuar, gjithashtu jemi bërë vend transit, sepse Rruga e Kombit si duket më shumë po u hyn në punë vendeve të rajonit sesa neve si shtet.

Shtetet përreth, si Shqipëria, Maqedonia e Serbia, e kanë rritur bashkëpunimin tregtar si rezultat i kalimit nëpër autostradën e Kosovës. Prandaj, patjetër lind pyetja: Është shtet Kosova, apo projekt i superfuqive?

Sepse, si shtet, Kosova në shumë mekanizma ndërkombëtarë nuk është me të drejta të plota për arsyet që dihen, por së paku jemi një projekt i superfuqive me ndikim, nga parimi që së paku si projekt do të duhej të ndikonin që të ketë suksese, sepse gjithashtu do të ishte edhe sukses i tyre. Për të qenë më i qartë për lexuesin, aranzhimi i takimeve rajonale të sponsorizuara kryesisht nga Bashkimi Evropian, në përgjithësi thirret në kalimin e barrierave të kaluara historike, në krijimin e raporteve ekonomike, me qëllim sa më shpejt si rajon të integrohemi në Bashkimin Evropian, e po ashtu edhe në njohjen reciproke të shteteve pjesëmarrëse. Them njohja reciproke, sepse Serbia në vazhdimësi ka krijuar barriera dhe vazhdon ta pengojë Kosovën në bashkëpunimin tregtar rajonal dhe më gjerë për arsyet që dihen.

Për ne si Kosovë, është e ditur dhe e natyrshme sjellja e Serbisë, dhe nuk është befasuese, por shtrohet pyetja se ku është serioziteti i nikoqirit dhe i anëtarëve të tjerë pjesëmarrës në këto takime, meqë më shumë dalin me rekomandime dëshirore, e më së paku obliguese, përkatësisht me masa ndëshkuese nëse nuk përfillen nga anëtaret pjesëmarrëse.

Edhe pas gjithë atyre peripecive që Kosova i përjetoi në Samitin e Triestes, mund mbahen në mend debatet e nxehta ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, që ishin të natyrës për të cilën më së paku ishin thirrur, e po ashtu do të mbahet mend paraqitja e kryeministrit shqiptar me atlete dhe me kostum, pra fotografia e përfaqësimit të shqiptarëve: pala kosovare duke u përpjekur qe t’ia kalojë me zhurmë palës serbe, ndërsa kryeministri shqiptar si një shou-men. Pra, shqiptarët dinë të bëjnë vetëm zhurmë dhe shfaqje, duke mos e harruar klishenë optimiste, “me rëndësi pjesëmarrja”.

Sidoqoftë, Shqipëria me të gjitha të metat që i ka, ajo së paku nuk i ka problemet e ditura që i ka Kosova. Duke i kujtuar takimet dhe marrëveshjet e arritura, Kosova është e ngulfatur me import, si nga vendet e rajonit, ashtu edhe më gjerë, ndërsa shtetet e rajonit e shfrytëzojnë Kosovën vetëm si vend ku mund të eksportojnë dhe si vend transit, e më së paku si një vend dhe shtet për bashkëpunim reciprok tregtar.

Ne si Kosovë na dhemb më shumë fakti kur kjo na ndodh edhe nga shteti amë, Shqipëria, me gjithë takimet e qeverive tona dhe me gjithë ato firma të vendosura

nëpër ato letra, e që në fakt ato në terren mund të gjenden vetëm nëpër arkivat e dy vendeve respektove, ndërsa për jetësimin e tyre as që bëhet fjalë. Për ta dëshmuar këtë, pikërisht Shqipëria këtë verë vendos referenca doganore, siç i quan ajo, për produktet bujqësore me prejardhje nga Kosova, mu në kohën kur fillon fluksi i turistëve nga Kosova për bregdetin shqiptar. Në vend që ta rrisë bashkëpunimin, ajo e bën të kundërtën, sepse përveç të mirave tregtare, me rëndësi është edhe shija e pushuesve nga Kosova në Shqipëri, ngase mënyra e të ushqyerit të Kosovës dallon nga ajo e Shqipërisë, e pushuesit kosovarë në vazhdimësi kanë vërejtje në këtë drejtim.

Por, pa marrë parasysh shijen e të ushqyerit, Shqipëria si anëtare e CEFTA-s dhe nënshkruese e MSA-së është e obliguar që të ketë bashkëpunim të plotë tregtar me shtetet e rajonit, e aq më tepër me shtetet fqinje.

Po ashtu, edhe shteti tjetër fqinj, Maqedonia, është ndër shtetet që më së shumti eksporton në Kosovë, ndërsa në vazhdimësi ka bërë probleme për produktet me prejardhje nga Kosova, e rasti më i freskët është këtë vit, kur me gjithë interesimin për disa produkte të mishit të eksportohen në Maqedoni dhe me gjithë kërkesat e prodhuesve nga Kosova që të certifikohen nga Agjencia e Ushqimit të Maqedonisë,

pala maqedonase me prolongimin dhe me injorimin nuk i dërgon inspektorët ushqimorë as 5 muaj pasi është bërë kërkesa. Kjo ndodh me qëllimin që dihet, sa më pak import nga Kosova, dhe sa më shumë eksport në Kosovë. Ndërsa për fqinjin verior, Serbinë, do të ishte e tepërt të flitet, kur dihet që ajo e atakon në vazhdimësi Kosovën në bashkëpunimin tregtar rajonal.

E çfarë të bëjë Kosova? Të sillet me të njëjtën kartë? Të vendosë masa reciprociteti, kjo do të ishte puna më e vogël – një vendim i ministrisë përkatëse dhe mbaroi puna. Por, ku do të mbeten gjithë ato marrëveshje, për çfarë u bënë gjithë ato fotografi çasti? E këto pyetje kërkojnë përgjigje. Çfarë të bëjë Kosova tani e tutje dhe cilat rrugë t’i ndjekë që të trajtohet drejt në bashkëpunimin tregtar? Ku t’i drejtojë kërkesat? Kush është i thirrur që ta bëjë një gjë të tillë? Meqë shteti i Kosovës i ka institucionet e veta që janë të thirrura ta përfaqësojnë, e aq më shumë të ndikojnë që të jetësohen të gjitha ato marrëveshje nëse kanë pasur deri më tani arsye, besoj që tani e tutje duhet të gjejnë arsye për ta përmirësuar imazhin e Kosovës në nivelin rajonal dhe më gjerë, duke i kryer punët e tyre, si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.

Pasi diplomacia nuk njeh miqësi, por vetëm interes, po ashtu edhe tregtia nuk ka emocione, por vetëm leverdi ekonomike, Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në detyra te brendshme dhe të jashtme. Si detyra të brendshme, Kosova duhet të punojë që ta krijojë një ambient të favorshëm të të bërit biznes, me qëllim që t’i josh investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë nëpërmjet krijimit të sigurisë, infrastrukturës ligjore dhe teknike, taksave dhe tatimeve të favorshme për investitorët që fokusohen në prodhim dhe krijimin e vendeve të punës.

Detyrë jona në nivelin rajonal dhe ndërkombëtar do të ishte ngritja e problemeve të cekura më lart në nivelin e instancave më të larta në kuadër të Bashkimit Evropian, krahas lobimit politik të bëhet edhe lobimi ekonomik; konferenca të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, njohja e investitorëve të huaj me mundësitë që i ofron Kosova, si për nga kushtet natyrore, ashtu edhe si shtet me mundësitë e të bërit biznes.

Ndoshta në këta rreshta mbizotëron një dozë e pesimizmit, por ne si popull, para se të jemi optimistë, së pari duhet t’i kryejmë punët tona, të dimë të krijojmë vlera dhe të jemi konkurrentë me shtetet rajonale e më gjerë, të mos shihemi vetëm si një vend i konsumit, por edhe si një vend që dimë t’i plotësojmë nevojat tona, sikur edhe t’i eksportojmë produktet tona jashtë Kosovës.