Ish- zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker përsëriti inkurajimin e SHBA-ve që zgjedhjet në prill në Maqedoni të jenë të qeta, të lira dhe të drejta raporton INA.
Ai i tha gazetarit Naser Pajaziti se zgjedhjet e organizuara mirë janë një sprovë për demokracinë në këtë vend.
“Unë përsërisë inkurajimin e SHBA-ve që zgjedhjet në prill të jenë të qeta, të lira dhe të drejta. Zgjedhjet e organizuara mirë paraqesin një mundësi për të gjithë qytetarët për t`u dëgjuar zërat e tyre, dhe janë element i rëndësishëm për cilëndo demokraci”, deklaroi për INA, ish-zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit për për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, i cili po qëndron për një detyrë diplomatike në Itali, në prag të vizitës javën e ardhshme të presidentit Obama dhe sekretarit Kerry në Vatikan.
Reeker është njohës i mirë i zhvillimeve politike në Maqedoni, pasi që ka pasur një karrierë të gjatë diplomatike si diplomat dhe ambasador i SHBA-ve. Ai së fundi ishte zëvendës – ndihmës sekretar i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, por që nga fundi i 2013 u zëvendësua nga diplomati Hoyt Yee. (N.P/INA)






