Home SPORT Luksemburgu, miqësorja e tretë për kuqezinjtë e Europianit

Luksemburgu, miqësorja e tretë për kuqezinjtë e Europianit

751
0
SHARE

Kombëtarja shqiptare e futbollit, do të luajë miqësoren e dytë të muajit mars, më datë 29 mars kundër Luksemburgut.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht, për zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore. Ajo do të luhet në Luksemburg në stadiumin “Josy Bathel”, në orën 20.15. Kështu kombëtarja kompleton të dy datat miqësore të muajit mars. Më 26 mars, Shqipëria do të përballet në miqësore me Austrinë në orën 17:30, në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës. Kjo miqësore konsiderohet si një test shumë i mirë për kombëtaren tonë, duke qenë se Austria është një prej skuadrave pjesëmarrëse të “Euro 2016”. Ajo ndodhet në Grupin F të këtij aktiviteti së bashku me Hungarinë, Islandën dhe Portugalinë, ndërsa kombëtarja jonë është në Grupin A me Francën, Zvicrën e Rumaninë. Ajo e 26 marsit do të jetë ndeshja e shtatë mes Shqipërisë dhe Austrisë. Në 6 ndeshjet e para, skuadra jonë përfaqësuese nuk ka mundur të fitojë asnjëherë, duke shënuar edhe një bilanc 1 gol i shënuar dhe 13 të pësuar dhe të gjitha ndeshjet me Austrinë janë luajtur në vitet ‘80.

Hera e fundit që është parë një përballje mes Shqipërisë dhe Austrisë ka qenë në vitin 1987, në eliminatoret e “Euro 1988”, me Shqipërinë që humbi 0-1 ndaj skuadrës austriake. Tre ditë më pas kombëtarja do të luajë në Luksemburg. Ndërkaq, para pak ditëve, është konfirmuar zyrtarisht, edhe një miqësore që do të zhvillohet më 29 maj. Në kuadrin e përgatitjeve për finalet e Europianit “Francë 2016”, kuqezinjtë do të kenë mundësi të testojnë veten në një ndeshje miqësore. Kundërshtari i radhës do të jetë Katari. Takimi do të luhet përsëri në Austri, më 29 maj. Qyteti ku do të zhvillohet kjo ndeshje është Kapfenberg. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se në kuadrin e këtyre përgatitjeve, përpara fillimit të Kampionatit Europian, ekipi kombëtar do të zhvillojë edhe një takim tjetër miqësor, përpara nisjes për në Francë. Kundërshtari dhe data e kësaj ndeshjeje pritet të bëhen të njohura në mënyrë zyrtare ditët në vazhdim,

Ftesat – Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një inisiativë të veçantë për ndeshjen e parë të Euro 2016 kundër Zvicrës. Institucioni më i lartë i futbollit shqiptar bën me dije se në stadiumin e Lensit do të rezervohen vende për të gjithë ish-lojtarët e kombëtares shqiptare që kanë luajtur qoftë edhe një minutë me fanellën kuqezi. Ndihma që ata kanë dhënë në të shkuarën për skuadrën nuk është lënë në harresë nga Federata Shqiptare e Futbollit që nëpërmjet këtij vendimi, njeh dhe vlerëson kontributin e të gjithë emrave që kanë mbrojtur ngjyrat kuqezi në të shkuarën. Takimi mes Shqipërisë dhe Zvicrës do të jetë i treti në Euro 2016. Kombëtarja e drejtuar nga Xhani De Biazi do të debutojë në datën 11 qershor në stadiumin e Lensit ku mes shumë tifozëve shqiptarë, do të jenë të pranishëm edhe shumë emra të njohur të futbollit shqiptar, të cilët janë ftuar të jenë të pranishëm në sfidën historike për të mbështetur nga pranë Kombëtaren Shqiptare.

3 miqësore ka siguruar deri tani ekipi kombëtar shqiptar para ndeshjeve të Europianit. Do të luajmë kundër Katarit, Austrisë dhe Luksemburgut