Home Kulturë Një pasdite në Zvicër e mbushur me artin e fjalës së shkruar...

Një pasdite në Zvicër e mbushur me artin e fjalës së shkruar dhe atë figurativ

1012
0
SHARE

Reportazh letërsi dhe arti: Bashkëdyzim i artit letrar me atë figurativ

Teksti dhe foto Dashnim HEBIBI

Kreuzlingen, 5 prill

«Sigurisht se do të lexosh edhe Ti, por edhe ju të tjerët, gjithsesi edhe Shefqet Dibrani ndonjë poezi, e nëse nuk e keni ndonjë libër tuajin, ju jap unë, se ka këtu në Qendrën Shqiptare për Kulturë dhe Integrim. Ta kalojmë një pasdite me poezi dhe duke shikuar vizatime të bukura të një artisteje të re, që me hapa të sigurt po hapëron e sigurt. Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur. E di se do të kaloni mirë, sepse të gjithë e doni gjuhën e poezisë, e njihni dhe flisni me të. Prandaj, po e pimë nga një kafe një herë këtu së bashku dhe pastaj, po e fillojmë promovimin. Janë ditë feste, e kam pritur që të vijnë edhe më shumë dashamirë të librit, por mirë që keni ardhur Ju, që më nderoni mua dhe artisten e re, por edhe poezinë, me një fjalë artin, në përgjithësi. Lexoni lirisht, që të mos flas vetëm unë si autor». Ishin këto fjalët e para të autorit të dy librave që po prisnin që të promovoheshin sot në Kreuzlinen, z. Brahim Avdyli. Zoti Avdyli është i njohur si veprimtar i dëshmuar i çështjes kombëtare, e në anën tjetër edhe krijues i merituar. Ai asnjëherë nuk u ndal dhe nuk ndalet, pavarësisht kësaj kohe që gjithkah e bren korrozioni, megjithatë fjala e mirëfilltë shqipe, e mbështjellë me art të pastër, mbetet, ajo jeton me shekuj dhe nuk vdes. Ishin mbledhur disa bashkatdhetarë, krijues, artistë, por edhe miq të poetit që ta nderojnë në këtë promovim libri, ose këtë pasdite libri. Kësaj here organizatore ishte Qendra Shqiptare për Kulturë dhe Integrim me qendrën e saj në Kreuzlinegn të Zvicrës e këtij promovimi dhe prezantimi të disa punimeve të piktores së re Abetare Berila. Stafi i Qendrës Shqiptare rrinte në këmbë me buzëqeshje, me mikpritje për çdo respekt, filluar nga kryetari, por edhe të gjithë të tjerët. Ishte takim vërtet i shëndoshë, sepse që të gjithë donin të flisnin ndërmjet vete, e tema kryesore pa dyshim ishte poezia e sotme. Poeti dhe publicisti Shefqet Dibrani bisedonte me të pranishmit dhe i përgëzoi organizatorët për këtë organizim.

Z.Selca duke i përshëndetur të pranishmit
Z.Selca duke i përshëndetur të pranishmit

Abetare Berila, abetare e artit figurativ në Zvicër

Në disa tavolina shiheshin disa libra të autorit që do të promovoheshin sot, «Shtegtimi i Lirisë» dhe «Torzo e Shpirtit tim» (Der Torso Meiner Seele), ndërsa gjithashtu shiheshin edhe disa punime nga piktorja e re, e cila i shikonte që të gjithë në sy, se kush e çka do të flasë. Punime vërtet të mrekullueshme, që kur e shikoje këtë artiste të re nga mosha, i bëje pyetje vetes si është e mundur që në këtë moshë t”i ketë këto punime?

Rrustem Selca, me zemërbardhësinë e tij, dha shenjë se promovimi do të fillonte. Ai me disa fjalë modeste, ashtu siç është edhe vetë modest, i përshëndeti të pranishmit. Nga Cyrihu kishte ardhur edhe zonja Shukrije Ramadani, drejtoreshë e Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë në Zvicër. Zoti Selca i falënderoi, z. Ramadani, z. Shefqet Dibrani, Llukman Halili, aktorin profesionist Veton Ibrahimi, drejtorin e Ansamblit «Vatra», z. Nexhë Isufi dhe të gjithë të pranishmit. Me disa fjalë, ai i prezantoi poetin dhe piktoren e re dhe më pastaj ia dha fjalën z. Dibrani. Me disa fjalë u bë një prezantim i piktores së re Abetare Berila nga Nebehate Ademi.

Abetare Berila është me prejardhje nga Kosova, përderisa familja e saj marrin udhën e mërgimit nga atdheu i tyre, pikërisht në vitet e ‘90- ta, për arsye të gjendjes së tensionuar nga pushteti okupues serb i ish-Jugosllavisë. Prindërit u vendosën në qytetin Heimenkirch të Gjermanisë dhe Abetarja ka lindur mw 5 dhjetor të vitit 2003, në Wangen të Gjermanisë. Ajo jeton me prindërit e vëllanë më të vogël, Edonin, si dhe vëllanë nga babai i saj, Albanin. Është një vajzë e qetë, me botën e saj plot art dhe me një talent të pakrahasueshëm për moshën e saj. Bota e saj e artit e ka fillimin e vet në belbëzimet e para, si 2-vjeçare, kur ajo kishte filluar t’i vizatonte lodrat, të cilat i përkëdhelte me butësi.

Talentin e saj se pari vëren e ëma e saj, e pastaj edukatorët parashkollorë, kur Abetarja ishte rreth 3-vjeçare dhe dallohej nga moshataret e veta me vizatimet e bukura. E ëma fillon të interesohet dhe të informohet që ta përkrahë kudo në rrugën e saj që po shkëlqente. Duhet cekur edhe ndihmën e pakursyer të dajës, Selman Bardheci.

Kryesia e Qendrës Kulturore në Kreuzlingen u ndanë të kënaqur me këtë pasdite kushtuar librit dhe artit figurativ
Edhe kryesia e Qendrës Kulturore në Kreuzlingen u nda e kënaqur me këtë pasdite kushtuar librit dhe artit figurativ

Hapa premtues për një piktore të vërtetë

Pikturat dhe vizatimet e saj shtohen nga dita në ditë. Ato po e mbushin dhomën e Abetares. E ëma e saj, Feride Berila, i fillon kontaktet me disa piktorë. Në pranverë të vitit 2012, Abetarja do ta vijojë një kurs në Akademinë e arteve, në Wangen, të udhëhequr nga piktori, z.Andreas Scholz, që vjen si vazhdim i kursit të saj të parë, te piktori akademik Anatoli Basirov nga Sant Petersburg të Rusisë, në prill të vitit 2011, ndërsa të dytin në nëntor të vitit 2011 dhe pajiset nga një certifikatë, përmes së cilës avancohet nga grupi i fëmijëve në grupi e të rriturve.

Dyert e Abetares po hapeshin me shpejtësi. Ftesa e parë i vinte nga piktori shqiptar nga Suedia, z.Shyqri Gjurkaj, që po e hapte një ekspozitë të përbashkët me piktorët e njohur Rajs Voyce, Remos Wilson, Ake Bergovist dhe Vejt Berg, në Feldkirch të Austrisë.

Kështu shtohej interesimi i piktorëve për ta njohur e për ta përkrahur Abetaren. Në vazhdim të tyre pason ftesa piktorit z. Arsim Berisha me rastin e hapjes së ekspozitës së tij në Kreuzlingen të Zvicrës, 27.10.2012. Kështu do të vazhdojnë edhe mediet e shkruara dhe elektronike, të cilat po interesoheshin për talentin e saj, pa marrë parasysh moshën e re. Së pari do ta intervistojnë 2 televizione rajonale, e pastaj gazetat rajonale dhe gazetat e qytetit ku jeton.

Poeti dhe publicisti, Shefqet Dibrani duke folur për librin e autorit dhe punimet e Abetares
Poeti dhe publicisti, Shefqet Dibrani, duke folur për librin e autorit dhe punimet e Abetares

Më 16 nëntor 2012, ëndrra e Abetares po bëhej realitet. Ajo e hapi ekspozitën e parë të pavarur në «Paul Bäck Haus», në Heimenkirch, më ndihmën e kryetarit të Komunës, z. Reichart Markus. Ndër vizitorët e shumtë ishin kryetari i Komunës, drejtoresha dhe mësuesit e shkollës, pediatri i njohur dr. med. Zahn, nxënësit e 2 klasave të parashkollorëve, piktori z. Arsim Berisha dhe mjaft vizitorë nga qyteti dhe nga rrethina. Këtë ekspozitë e pasuruan fjalimet e kryetarit të Komunës, nga drejtoresha e shkollës, e në veçanti piktori Arsim Berisha, i cili i vlerësonte lart punimet e Abetares. Nuk munguan as shkrimet e gazetave lokale, por edhe ato shqiptare. Abetarja pati ekspozuar 45 piktura.

Piktore e vogël, por humaniste e madhe

Në nëntor të vitit 2012 vazhdon edhe një kurs të avancuar me ngjyra pastel, duke i ndihmuar ngritjes së saj. Edhe një ftesë i erdhi Abetares nga akademik Mark Krasniqi në promovimin e librit «Kujtimet e përjetime». Në shenjë respekti për akademikun e përmasave mbarëkombëtare, Abetarja ia dhuroi një pikturë dhe albumin. Në këtë promovim takohen z. Maxhun Smaili (reporter lufte), z. Astrit Zemaj (konsull) dhe z. Gjelosh Gjokaj (piktor). I impresionuar nga pikturat, konsulli ia bën një ftesë të veçantë për ta vizituar Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt, më 16. 04. 2013, ku nderohet nga ai me dhurata të shumta, por edhe Abetarja në shenjë respekti ia dhuron një pikturë.

Në vazhdim prapë e ndjek kursin te piktori Anatoli Basirov, me ngjyra pastel. Në shpirtin e saj të çiltër, bujar e human veçohet bamirësia. Nga shitja e pikturave të para kishte tubuar 500 euro për t’i dhuruar në «SOS-Fshatin» e fëmijëve jetimë në Kosovë, në gusht të vitit 2013. Në ndërkohë (po në gusht) ishte ftuar në emisionet e veçanta në RTV 21 dhe RTK. Zoti Rudolf Schmit, udhëheqës i sigurimit «ËGF – Versicherung», në Leutkirch, nëpërmjet gazetave dhe televizionit ka dëgjuar për Abetaren dhe interesohet që ta takojë personalisht. Një ditë troket në banesën e Abetares, duke i propozuar që pikturat e saj të ekspozohen në zyrën e tij.

DSC_2485

Më 8 shkurt 2014, Abetarja do të prezantohet në shoqatën shqiptare «Kastrioti» në Leutkirch me punimet e saj në përvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Më 21 qershor të vitit 2014, Abetaren e fton për pjesëmarrje në ekspozitë në «Expo Diaspora» në Bocholt, me një pikturë, z.Bekim Ibrahimi, në të cilën marrin pjesë 102 piktorë nga Evropa dhe nga vendet e tjera të botës.

Me ndihmën e znj. Gerti Felix (piktore), Abetarja arrin ta hapë ekspozitën e katërt të pavarur në Shtëpinë e Pleqve (Seniorenzentrum ST.Martin ), në Lindenberg. Ky prezantim i piktores së re u mirëprit nga të pranishmit.

Poeti duke i përshëndetur të pranishmit dhe iu lexoi disa poezi nga librat e tij
Poeti duke i përshëndetur të pranishmit dhe iu lexoi disa poezi nga librat e tij

Odisejada e një krijuesi

Shefqet Dibrani pas kësaj biografie e mori fjalën dhe e përgëzoi Abetaren, e ndër të tjera theksoi se ka shpresë ajo nuk do të ndalet dhe do të shohim edhe piktura më të mira në të ardhmen. Ndërsa më pastaj lexoi edhe një pjesë të biografisë së autorit. Brahim (Ibish) Avdyli (1960) është shkrimtar që i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).

I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar.

Pas përfundimit të gjimnazit «Hajdar Dushi» në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u detyrua të emigrojë në Zvicër. Dy herë ka qenë me vendim federal i përjashtuar prej Zvicrës. Më vonë, si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik i kreu studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet pas diplomës në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, ku në tetor të vitit 2010 ka mbrojtur temën e magjistraturës.

IMG_3238

Vargu i gjatë i veprave, pasuri shpirtërore

Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën gjithëshqiptare «Qëndresa» në Zvicër.

Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto libra:

– «Në hijen e Alpeve», poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,

– «Buka e kuqe», poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,

– «Kur zgjohet Dodona», poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.

– «Pasqyrë e përgjakur», poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,

– «Klithje nga fundi i ferrit», poezi, Onufri, Tiranë, 1997,

– «Gjuha e dheut tim», poezi, Albin, Tiranë, 1999,

– «Klithje nga fundi i ferrit», botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,

– «Baraspesha e humbur», poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,

– «Vragat e një kohe», prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,

– «Lëvozhga e vdekjes», prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,

– «Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë», Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008,

– «Zogu i këngës», poezi të zgjedhura, SHB «Pjetër Bogdani», Has, 2009,

– «Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj», politikë-publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011,

-«Qielli i paprekur», poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012,

-«Vetëvrasja e një poeti», teledramë, Shoqata e Intelektualëve «JAKOVA», Gjakovë, 2013.

-«Shtegtimi i lirisë», poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; dhe

-«Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele», poezi në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015… Është i prezantuar edhe në disa antologji dhe libra, si p.sh.:

– «Rrjedhë e lë gjurmë», poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983,

– Nebil Duraku, «Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985», Rilindja, Prishtinë, 1985,

– «Poezia dal Kossovo», Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò, (Lecce), Itali,1999,

– Hasan Hasani: «Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001», Faik Konica, Prishtinë 2003,

– «Vulcanul răbdării/Vulkani i durimit», Poeme traduse în limba română de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukureşti (Bukuresht), 2008,

– Halil Haxhosaj: «Përkushtime/Poezi kushtuar Din Mehmetit», Klubi Letrar «Gj.N.Kazazi», Gjakovë, 2009,

– Agim Vinca: «Muza e Mëmëdheut/Njëqind poetë për Atdheun», Antologji, SHB «Eugen» Tiranë dhe «Botimet Artini» Prishtinë, 2012,

– Betti Fichtl, «Bahnhof der Träume», Edition Ëendepunkt, Weiden/D, 2013,

– Lulzim Logu, Muharrem Kurti: «Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës», Klubi Letrar «Gjon N. Kazazi»- Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve-Tropojë, Gjakovë, 2013,

– Gëzim Ajgeraj, «Në rrjedhën e Drinit-2», Metafora, Prizren 2014,

– Lan çyçalla & Ali Prebreza, «Mall poetik», Manifestimi letrar-Edicioni i parë, SHSH «Naim Frashëri», Fushë-Kosovë, 2014,

– Mark Simoni, «Antologji poetike për udhën», Muzgu, Tiranë 2014,

– Mark Simoni, «Antologji poetike për sendet», Muzgu, Tiranë 2014, etj…

Libri i parë poetik «Në hijen e Alpeve» ka hyrë në përzgjedhjen e ngushtë për shpërblimin «Hivzi Sulejmani», që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.

Shumë mirënjohje e shumë shpërblime

Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit, më 1997, të organit të LPK «Zëri i Kosovës»; i Penës së Artë në takimet pran-verore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë «Agim Ramadani» në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin letrar dhe të lexuar më 1.5.2010, si dhe Shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të dërguar në Konkursin letrar, të lexuar me 25.4.2011, e ka marrë në Orët e mëdha Tradicionale Letrare për Pavarësinë e Kosovës, të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë të Gjermanisë, në Koblenz të Gjermanisë. Nga e njëjta “Lidhje…», në të njëjtin vend, e ka marrë Çmimin e parë për poezitë e konkurruara dhe të lexuara atje, më 23. 03.2013 në të cilën e ka prezantuar edhe Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës. Ndërsa, shpërblimet për poezitë e këtij libri janë cekur me fusnotë.

Shpërblimin e tretë «Azem Shkreli» për librin më të mirë të poezive «Qielli i paprekur», të ndarë për tërë mërgatën shqiptare, e ka marrë poeti në Ene-ppetal të Gjermanisë, me 1.06.2013.

Shkrimi i parë që e ka shkruar ky autor ka qenë një dramë. Ajo nuk është botuar. Nga vendstrehimi nëntokësor në shtëpinë e tij në Morinë të Gjakovës është marrë apo është djegur drama e tij e veçantë «Gremina», e cila ka pasur si temë fundosjen e Jugosllavisë, së bashku me 1500 faqe prozë A4.

Vepra e parë i është botuar më 1983.

Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), anëtar i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (ADS), anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), anëtar i Kryesisë së LKSHM-së dhe i disa organizatave të tjera. Siç shihet, poezia e këtij poeti është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht dhe anglisht.

Abetarja u mirëprit nga shkëlqyeshëm nga të pranishmit
Abetarja u mirëprit nga shkëlqyeshëm nga të pranishmit

Arti letrar dhe ai figurativ korrespondojnë shkëlqyeshëm

Pas këtij prezantimi, fjala ju dha Abetares. Ajo i përshëndeti të gjithë dhe ndër të tjera th: «Jam e emocionuar, por edhe e gëzuar. Arti pamor më është bërë ushqim shpirtëror. Këto promovime më bëjnë edhe më shumë krenare». Pas fjalëve të bukura të artistes së re, e mori fjalën poeti dhe, ndër të tjera, tha:

«Ju përshëndes të gjithëve, bashkatdhetarë të nderuar; zonja e zotërinj, të afërm të mi, Qendër Shqiptare për Kulturë dhe Integrim dhe individë tjerë të pakursyer!…

Është e tepërt t’u flas diçka për krijimtarinë time, sepse mjaft gjëra do t’i kuptoni nga veprat e mia, apo edhe autobiografia, që do të pasojë më vonë.

Ju, do të keni kohë për të më njohur dhe për të më studiuar, edhe në qoftë se nuk jam me jetë në mesin tuaj…

Do të kisha theksuar se kur ta shikoni krijimtarinë time, qoftë letrare, qoftë shkencore apo gazetare, do t’u duket pak, megjithëse kam shkruar mjaft, ndërmjet përndjekjeve të papushuara të aparaturës serbo-sllave. Ndër më të parat e kam ruajtur poezinë, e cila është e mbushur me vuajtjet tuaja dhe të miat në përndjekjet; nëpër pritat e armiqve tanë kombëtar, etj. Këto janë disa nga veprat e mija (i tregoj)…

Ajo që do të flisja, me këtë rast, është proza ime e panjohur, të cilën, në pjesën dërmuese e kanë pamundësuar ata që janë nën ndikimin e UDB-së, apo e kanë grabitur apo asgjësuar pushtetarët dhe njësitet e policisë serbe apo veglat e tyre. Pra, më janë asgjësuar mbi 1 500 faqe prozë, romane e poezi, të shkruara në formatin A4, në strehimoren nëntokësore në Morinë të Malësisë së Gjakovës, apo jashtë vendit, p.sh. në Ticino/CH, më është grabitur nga banesa bashkë me bllokimin e telefonave, sado që ishte rrënuar, novela për Kadri Zekën, të cilën, ia kisha kushtuar Kadri Zekës. Janë përmbytur edhe këtu, nëpër ndjekjet në Zvicër, PC-të e mia, pa e shpëtuar «Harddisk»-un. Janë asgjësuar disa vepra të tëra. Ato, nuk kthehen më, asnjëherë!…

Vepër që ka nevojë për studim

E meriton të theksohet në këtë moment, vepra ime politike. Ajo është e panjohur, sidomos për çështjen kombëtare dhe zgjidhjen e drejtë të saj. Vepra e parë politike, është plaçkitur me forcë…, e cila i përfshinte 2 volume, me nga 500 faqe.

Nga Shqipëria, kjo vepër e përgatitur për botim, ka shkuar drejtpërdrejt te krimineli i Serbisë, Slobodan Milosheviqi. Në anën tjetër, pa dijen time dhe befasisht, më është përmbytur PC-ja nga Hackerat. Janë zhdukur edhe dorëshkrime të tjera…

Më në fund, mësova nga këto pësime të hidhura! E njëra nga këto, është edhe zhvatja e shpenzimeve të botuesve. E kuptova pas shumë veprave të botuara dhe i pagova me kurriz.

Njëra nga këto vepra të pabotuara, e cila u botua si dramë është «Vetëvrasja e një poeti». Ajo ka qenë një roman, por e kam bërë si një dramë, për të pasur mundësi që ta botoj. Tema e asaj vepre ishte mjaft e nevojshme për publikun.

’Mjetet’ e mia, të shikuara ngushtë, i kam vetëm sa për jetesë, e nuk janë për botime apo udhëtime. E kam një «invaliden-pension» dhe kanë mbetur pa u botuar 5 dramat e mia, të cilat janë të shkruara, por do të përmirësohen e redaktohen…

Aktualisht, më janë botuar rreth 17 vepra, pa marrë parasysh antologjitë. Të gjitha veprat e mia janë të mira, mirëpo kjo e fundit, «Shtegtimi i lirisë», është më e mira nga të botuarat. Kësaj vepre ia kam bërë 4 redaktime, ndërsa asaj paraprake 2 redaktime… Tani, është më mirë t’ua lexoj edhe disa poezi, sepse të flasësh më tepër, nuk e di a do të mund të flitet…

Abetarja, pas këtyre fjalëve të poetit, e lexoi një poezi të shkruar vetë, e të gjithë e duartrokitën dy herë me radhë, duke e kuptuar se ajo, përveç se ka talent në pikturë, ka talent edhe në poezi.

Zoti Avdyli lexoi gjithashtu edhe dy poezi të tjera. Poezia «Zogjtë e pikëlluar», e kishte një mesazh të fortë, që e kishte përjetuar vetë poeti. Ai në disa krijime të tij e ka përfshirë edhe familjen, prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe miqtë e tij.

Një foto kujtimi
Një foto kujtimi

Një shpresë e re dhe një talent në vazhdimësi

Zonja Shukrije Ramadani, me disa fjalë, i përshëndeti të pranishmit, Abetaren në veçanti, dhe poetin, e ndër të tjera theksoi:« I përshëndes të gjithë, por më së shumti Abetaren. Kam fjalët më të mira për të. Shpresojmë se do të jetë edhe më e mirë në të ardhmen. Do të bëhet një emër i madh. Kaq e re dhe me kaq punë që ke bërë na gëzon shumë. Besoj se edhe shumë e shumë të tjerë duhet të merren edhe më shumë me art». Për poetin, zonja Ramadani shtoi: «Të urojmë jetë të gjatë dhe të përgëzojmë për punën e madhe që e ke bërë. Jam shumë e lumtur që i dëgjova disa poezi. Shpresojmë shumë se do të marrim pjesë edhe në promovime të tjera, pra do të na shkruash edhe libra të tjerë». Në fund të këtyre fjalëve, që ishte si pjesë e promovimit, u bashkëbisedua me poetin dhe u njoftuan më për së afërmi me poezitë e tij dhe në përgjithësi me punën e tij artistike. Zoti Rrustem Selca ia dha fjalën edhe aktorit profesionist Veton Ibrahimi, por ai nuk deshi t’i merr kohë poetit dhe piktores së re, por me dy fjalë të bukura e të mbushura me shumë kuptim i përshëndeti të gjithë të pranishmit, i përgëzoi Abetaren dhe z. Avdyli dhe theksoi se, «tokë me nda nuk kemi, pjesa tjetër e vargut vazhdon dhe nuk po e them…».

Brahim Avdyli u nda i kënaqur nga ky takim dhe falënderoi të gjithë të pranishmit
Brahim Avdyli u nda i kënaqur nga ky takim dhe falënderoi të gjithë të pranishmit

Përkrahja do të vazhdojë

Pas kësaj përshëndetjeje, z. Dibrani e përmbylli këtë promovim-prezantim libri kushtuar librit dhe artit figurativ, duke ia dhënë fjalën autorit që ta lexojë edhe një poezi. E krejt në fund, autori edhe një herë i falënderoi të gjithë dhe i ftoi për një foto kujtimi dhe për një koktej. Drejtuesit e kësaj qendre kulturore njihen si veprimtarë të dëshmuar dhe falënderuan të gjithë, duke njoftuar gjithashtu se edhe në të ardhmen do të jenë sa më afër krijuesve tanë që jetojnë në Zvicër e më gjerë. (dialogplus.ch)