Milan-Juve është kryendeshja e të Dielës në Serinë A me Antonio Conten që kujdeset ta shtojë edhe më shumë dozën e rivalitetit mes dy skuadrave. Mbetet gjithmonë i njëjti tekniku i bardhezinjve, me humor pas kualifikimit në Europa League, por edhe sarkastik kur pyetet për Juventusin e tij, nëse konsiderohet superfavorit në përballjen me kuqezinjtë në San Siro.
“Ok shumë mirë, le të themi se fituam shumë lehtë kundër Trabzonspor, pothuajse pa luajtur fare. Madje edhe fanellat nuk ishin djersitur. Gjithashtu në ndeshjen e kthimit arritëm një fitore mjaft komode dhe pa probleme. Pra skuadra është e freskët dhe e çlodhur për takimin e San Siros. Me Milanin do të jetë thjesht një shëtitje”.
Në sfond edhe pse jo gjithmonë me zë të lartë, vazhdon të ketë polemika për kalendarin, që në këndvështrimin e teknikut bardhezi nuk mund të quhet tjetër veçse shkopinj nën rrotat e makinerisë që drejton. Këtu Conte bëhet serioz, duke e lënë mënjanë ironinë.
“Për çfarë shëtitje flasim, cila fitore mund të quhet e lehtë? Rikuperimi i skuadrës pas një takimi të tillë nuk është i thjeshtë, përkundrazi, mjaft i vështirë. Na pret një sfidë e fortë, duhet të luajmë me mendje e me zemër, ashtu si në derbin e javës së kaluar”.






