Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti vazhdon të brengoset për fatin e Republikës së Maqedonisë.
Ai ka filluar takimet e para me komunitetin ndërkombëtar për këtë vit me shqetësimin kryesor çështjen e emrit dhe integrimin euroatlantik të vendit.
Në një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, Poll Uolers, Ahmeti ka kërkuar ndihmën e Uashingtonit zyrtar për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Sipas tij, pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Greqi dhe formimit të qeverisë së re në Athinë, të gjitha palët, Maqedonia, Greqia dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet që të fokusojnë të gjitha forcat drejt tejkalimit të kontestit që po mban Maqedoninë larg nga Brukseli.
Për këtë, nevojitet atmosferë konstruktive dhe stabile edhe në Shkup, por edhe në Athinë.
Ahmeti ka siguruar Ambasadorin Uolers që BDI do të vijoj bashkëpunimin me Uashingtonin zyrtar drejt realizimit të synimit tonë të përbashkët, por edhe njëkohësisht ftoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të intensifikojnë përpjekjet këtë pranverë sepse janë mik i vërtet i vendit dhe rajonit dhe se pa ndërhyjen e Uashingtonit, vështirë zgjidhet kjo çështje.
Kryetari Ahmeti ftoi përsëri opozitën që të rikthehet në kuvend dhe të kontribuoj në këto kohëra sfiduese për të ardhmën e vendit.






