Bojkoti i zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë përgjigja e BDI-së ndaj injorimit të VMRO-së për kandidatin konsensual.
Vendimin e tillë do ta konfirmojë nesër Kryesia Qendrore e BDI-së në mbledhje të jashtëzakonshme. Vendimi do të hyjë në fuqi nëse VMRO-ja zgjedh kandidat të njëanshëm për president më 1 mars. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas BDI-së, do të mundësojnë bashkimin e votës shqiptare dhe ndalimin e vendimeve të njëanshme politike të bllokut politik maqedonas.
“Refuzimi i konceptit tonë të konsensualitetit nga partneri i koalicionit, e bën të domosdoshme nevojën për arritjen e një platforme të re politike për bashkëqeverisje mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo platformë do të mund të arrihet vetëm nëpërmjet riafirmimit dhe fuqizimit të legjitimitetit elektoral, që nënkupton edhe nevojën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e tilla do të jenë shans që shqiptarët të bashkojnë votën, të riafirmojnë mandatin dhe legjitimitetin e BDI-së, që platforma e ardhshme të pamundësojë vendime të njëanshme politike”, u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së. BDI-ja u bëri thirrje shqiptarëve të mos dalin në zgjedhje, dhe të zhveshin legjitimitetin e kandidatëve të njëanshëm presidencial.
“Shqiptarët do ti ftojmë që të mos votojnë për asnjë kandidat, për shkak se asnjëri prej tyre nuk do të përfaqësojë vullnetin e tyre”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Në pajtim me afatet ligjore, sipas të gjitha gjasave BDI-ja do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 27 prill. Nisma e BDI-së për vetë-shpërndarje të Kuvendit mund të votohet me konsensus nga partitë politike, duke parë se të gjitha partitë më të mëdha janë shprehur të gatshme për përballje në zgjedhje të përgjithshme parlamentare.






