Home Aktuale Korrupsioni, papunësia dhe krimi, problemet kryesore

Korrupsioni, papunësia dhe krimi, problemet kryesore

1065
0
SHARE

Qytetarët e Kosovës vlerësojnë se korrupsioni, papunësia dhe krimi, janë tri problemet kryesore. Sipas qytetarëve me korrupsionin në Qeveri, Kosova renditet në krye të listës. Ndërsa, KFOR-i dhe misioni i BE-së gëzojnë besimin me të madh të qytetarëve të Kosovës.

Këto të dhëna kanë dal nga prezantimi i gjetjeve të raportit me titull, “Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-lindore”.

Sipas këtij raporti, qytetarët me së shumti iu besojnë institucioneve ndërkombëtare, siç janë KFOR-i dhe Bashkimi Evropian, ndërsa, më së paku partive politike, Presidencës, Qeverisë dhe Gjyqësorit.

Raporti i realizuar me 1 mijë qytetarë nga e tërë Kosova, u publikua në konferencën “Qeverisja e Hapur në Kosovë 2014”.

Gjatë paraqitjes së raportit, hulumtuesi i Institutit Riinvest, Premton Hyseni tha se anketa ka nxjerr në pah se tri problemet me të mëdha për qytetarët janë, Korrupsioni, Papunësia dhe Krimi.

“Sipas qytetarëve tri problemet kryesore në Kosovë janë korrupsioni, papunësia dhe krimi. E përmenda që është bërë anketë me 1 mijë respodent, prej tyre 755 kanë thënë se korrupsioni është problemi më permanent, më i ndjeshëm. Kjo është përgjigje e pritshme por nuk ka dal kështu në të gjitha shtetet, pasi në shumicën prej tyre ka dal si papunësia në top të listës, tek ne ka dal korrupsioni. Do të thotë që është një shenj për një vetëdije se çka është shkak e çka është pasojë e problemit”, tha Hyseni.

Ai tha se 20 për qind, apo çdo i 5-ti njeri ka dhënë ryshfet në Kosovë në një pikë të caktuar, ndërsa 23.4 për qind iu është kërkuar ryshfet, derisa Kosova i prin listës sa i përket korrupsionit në Qeveri.

Sipas tij, biseda me miqtë, të afërmit dhe mediat janë dy krijuesit me të rëndësishëm për përcepcionin e korrupsionit në Kosovë. Ndërsa, 41 për qind e qytetarëve janë të hapur ndaj korrupsionit, të cilët kanë qenë në gjendje të japin ryshfet për punë të caktuar.

Ndërsa, hulumtuesi tjetër i Institutit Riinvest, Agon Nixha duke prezantuar anketën sa i përket besimit të qytetarëve në institucione, tha se sipas raportit, ka dal që qytetarët u besojnë me shumë institucioneve ndërkombëtare, derisa mosbesimi më i madh është ndaj partive politike, Presidencës, Qeverisë dhe Gjyqësorit.

“Siç e shihni këtu në këtë grafikon institucionet ndërkombëtare, apo KFOR-i dhe Bashkimi Evropian janë institucionet të cilat gëzojnë besueshmërinë me të madhe nga qytetarët e Kosovës. Thënë me specifikisht mbi 60 për qind e qytetarëve i besojnë KFOR-it dhe BE-së. Në aspektin e besueshmërisë në përqindje, afër gjenden edhe OJQ-të, mediat dhe institucionet fetare. Çka është shumë interesante dhe shqetësuese, është fakti se institucionet vendore, apo shtyllat kryesore të qeverisjes janë institucionet të cilat besohen me së paku nga qytetarët e Kosovës. E keni këtu Kuvendin, Gjyqësorin, Qeverinë, presidencën dhe partitë politike dhe qytetarët që u besojnë këtyre institucioneve sillet nga 20 deri në 30 për qind”, tha Nixha.

Ai tha se sipas anketës, qytetarët kanë theksuar se deputetët e kanë rolin kryesor në vendimmarrje në politik-bërje. Por, sipas Nixhës, është befasi se sipas qytetarëve, kompanitë ndërkombëtare kanë një rol të rëndësishëm në vendimmarrje. Ndërsa, në fund të listës, janë institucionet fetare, të cilat sipas qytetarëve, kanë me së paku rol në vendimmarrje. /kp/