Për 100-ditëshin e parë s’ka se si të mos e përmend faktin se rreth 100 mijë qytetarë kanë emigruar nga vendi, të cilët kanë pranuar të bien edhe në duar të policëve serbë, armiqve të tyre të djeshëm, vetëm që të ikin nga shteti i paperspektivë, në krye të ekzekutivit të të cilit, për më shumë se tre muaj, është Isa Mustafa.
Shefi i LDK-së mund edhe të arsyetohet se nuk është fajtorë që qytetarët e Kosovës nuk po shohin perspektivë në shtetin e tyre, për shkak të mungesës së vendeve të reja të punës, largimit të investitorëve të huaj, kryesisht si pasojë e shkallës së lartë të korrupsionit në vend, derisa partia e tij në mandatin e fundit ka qenë në opozitë.
Mirëpo, për t’ia siguruar vetes postin e kryeministrit, ai ka pranuar të bashkëqeverisë me Hashim Thaçin, të cilin deri para pak muajve e akuzonte për keqqeverisje, korrupsion dhe falimentim të shtetit të sapokrijuar.
Dhe imagjinojeni liderin e PDK-së, që e akuzoi aq rëndë në zgjedhjet e fundit Mustafa, pas një viti partia e këtij të fundit do ta votojë për president të Kosovës!
Mustafa para ligjvënësve gjithashtu do të duhet të raportojë se si ministri i tij i Jashtëm, njëherësh partneri i tij i koalicionit, Hashim Thaçi, për njëqind ditë nuk e solli asnjë njohje ndërkombëtare për Kosovën.
Fundja si të sjellë njohje ky ministër, i cili nuk po ndihet komod në krye të diplomacisë kosovare dhe se në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk ka shkelur asnjëherë për 100 ditë.
Për këto 100 ditë qeverisje, Mustafa dëshmoi se është një kryeministër i pafuqishëm, pasi që për zgjedhjen e drejtorit të ri PTK-së vendosi zëvendëskryetari i PDK-së dhe njëherësh kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, përkundër mospajtimeve të shefit të ekzekutivit.
Të mos flasim për ndonjë zhvillim pozitiv për këto muaj në sektorin e shëndetësisë, në krye të të cilit u zgjodh një ministër anonim, me rekomandim të Lutfi Hazirit. Bazuar në “arritjet” e 100-ditëshit të parë, Imet Rrahmani do të mundë ta përfundojë mandatin me rezultatet që shëndetësisë kosovare ia solli ish-ministri, Sadik Idriz.
Ndërsa, arritja më e madhe në Ministrinë e Mjedisit, që drejtohet nga Ferid Agani, si duket është vendimi për shpalljen e gjelit kosovar këndimgjatë, lloj vendor i zbutur.
E masat konkrete për mbrojtje të ambientit duket se janë sekondare në krahasim me gjelin unik, i cili e zgjat zërin 25 sekonda.
Asnjë zhvillim pozitiv për këto muaj nuk ka ndodhur as në dikasteret qeveritare përgjegjëse për zhvillim ekonomik, arsim, drejtësi, etj.
Shefi i Qeverisë do të mundë të fliste para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për suksese në 100-ditëshin e parë, vetëm nëse do të raportonte sot, përkatësisht në ditën e rrenave, e assesi ditëve tjera.