Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka votuar në qendrën e votimit 1922e në vendvotimin 05r në Shkollën Fillore ‘Emin Duraku’ në kryeqytet.
Mustafa tha se qytetarët e Republikës së Kosovës do të jenë fitues të këtyre zgjedhjeve. Ai ka thënë se pret që këto zgjedhje të jenë transparente dhe të rregullta.
“Unë pres që do të fitojnë qytetarët e Republikës së Kosovës në radhë të parë. Do të dëshiroja që të dalin të gjithë e të votojnë sepse zgjedhjet janë mënyra më e mirë që qytetarët të vendosin qeverisjen e tyre dhe kjo është një shans i mirë për qytetarët. Unë uroj që zgjedhjet të shkojnë mirë, të jenë transparente, të rregullta dhe të japin rezultatet”, ka thënë ai.
Ndërsa, menaxhere e qendrës 19 22e, Valbona Hadri, tha për KosovaPress se kjo qendër ka shtatë vendvotime dhe se deri më tani situata në këtë qendër është e qetë.
Ajo ka thënë se numri i votuesve me të drejtë vote është 6194 dhe se deri më tani kanë votuar 215 qytetarë. Kurse kjo qendër e votimit sipas menaxheres është hapur me kohë që nga ora 07:00./Telegrafi/






