Home Nga Rajoni Arrestohet “zbuluesi” i ilaçit të kancerit

Arrestohet “zbuluesi” i ilaçit të kancerit

1098
0
SHARE

Një burrë 55 vjeç, i vetëshpallur si mjek popullor është denoncuar nga dy qytetare tri ditë më parë. Denoncueset kanë pretenduar se burri i mashtronte dhe iu merrte para duke iu premtuar se kishte ilaçin kundër kancerit.

 Denoncueset nuk dihet se sa seanca kanë kryer me ‘mjekun’, por policia e Komisariatit ne 3 ka hyrë në operacion me anë të metodës së ‘dorëzimit të kontrolluar’, duke arritur të prangosin mjekun korçar.

Nga të dhënat bëhet e ditur se ka dyshime të forta që i prangosuri e ushtronte aktivitetin prej shumë kohësh, ndërsa ilaçi i tij shitej 1 milion lekë të vjetra. Dyshohet se ka patur persona që kanë marrë më shumë se pesë herë ilaçin “shpëtimtar”, duke paguar gjithnjë të njëjtën shumë. Referuar të dhënave të policisë bëhet e ditur se burri quhet Avniavdyl Lipe dhe është banor në zonën e Laprakës.

Arrestimi

Policia e Tiranës ka bërë me dije mbrëmjen e djeshme se ka arrestuar një mjek popullor të vetëshpallur i cili pretendonte se kishte zbuluar ilaçin e shërimit të kancerit. Sipas policisë Avniavdyl Lipe, mashtronte qytetarët duke u shitur për 100 mijë lekë të reja ilaçin dhe vizitat e tij. I njëjti burim tha për se shuma e paguar shkonte në disa raste edhe në 4 apo pesë seanca dhe secila prej tyre kushtonte me të njëjtin çmim, me atë të fillimit. Burri posedonte edhe një regjistër në të cilin shkruante emrat e pacientëve të tij, regjistër që policia e ka sekuestruar dhe tashmë do të jetë në shërbim të hetimit, ndërkohë që priten edhe denoncime të personave të tjerë që mund të jenë mashtruar nga “mjeku”.

Policia saktësoi se kallëzimi është bërë nga dy shtetase ditën e enjte, ndërsa dokumentimi i aktivitetit të Lipes është bërë me metodën e dorëzimit të kontrolluar. Lipe përdorte si bazë një lokal pranë Spitalit të Ushtarak, ndërsa për t’u dorëzuar ilaçin, pacienteve të tij u linte takime në vende të ndryshme të Tiranës. Korçari banonte në bllokun e pallateve parafabrikate, në rrugën “Koli Bano”, pranë spitalit. Policia ka marrë në pyetje familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët ndërsa pritet që ditën e nesërme mjeku të përballet me gjykatën që do të vendos mbi fatin e tij. Ndër materialet e sekuestruara, policia ka gjetur edhe ilaçin që përdorte Lipja në shishe 1.5 litërshe, të cilat janë dërguar për ekspertizë në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës.