Fushata zgjedhore e Alternativës sot vazhdoi me vizitën fshatit Shoshajë, ecjes nëpër këtë bashkësi lokale duke parë nga afër problemet më akute me të cilat ballafaqohen banorët si dhe duke u konsultuar në lidhje me zgjidhjet e mundshme për këto çështje.

Vizita vazhdoi me ecje deri në fshatin Corroticë, ku pas një takimi joformal me banorët e këtij vendëbanimi u vazhdua drejt ambienteve të shkollës së fshatit ku para një mase jashtëzakonisht të madhe u prezantuan kandidatët për këshilltarë nga këto njësi zgjedhore.

Profesor Ejup Limani, Doktor Alban Fazliu si dhe znj. Nora Ademi janë përfaqësuesit e zgjedhur nga këto njësi për këshilltarë në kuvendin komunal të Preshevës. Të tre kandidatët morën fjalën para të pranishmëve duke e përshëndetur praninë e madhe të bashkëvendasve që për ta është një tregues i qartë se programi i Alternativës po pranohet si zgjidhja e vetme e daljes nga kjo situatë që po mbretëron decenieve të fundit.

Kryetari i nëndegës së Alternativës për fshatin Corroticë, z. Bekim Jahiu gjithashtu i përshëndeti të pranishmit për të vazhduar me kryetarin e Alternativës për Ndryshim, z. Shqiprim Arifi i cili mbajti një fjalim shpresëdhënës ku shpalosi ide dhe plane konkrete për përmirsimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës.







