Për skeçin e fundit të “Stupcave” që thumbonte momente të luftës së UÇK-së, në emisionin “Rubikon” të KTV-së kanë debatuar Fatmir Humolli – ish epror i UÇK-së në Llap, Shkelzen Gashi – politolog, Arben Gecaj – sociolog dhe Vehbi Kajtazi – gazetar. Në emision pati qëndrime pro e kundër ndaj këtij skeçi.
Politologu Shkelzen Gashi gjatë emisionin ka thënë se është mitizuar organizimi politik i UÇK-së dhe se ky mitizim më së shumti shihet në pavarësinë e veprimeve të dy zonave operative të UÇK-së, të Llapit dhe të Dukagjinit.
Ai pasi theksoi se në fakt në Kosovë nuk ka humor të mirëfilltë, pasi sipas tij, humori në Kosovë vazhdimisht i ka fyer grupet e margjinalizuara e jo majat.
“Ka kaluar kohë bukur e gjatë, dekonstruktimi i mitit të UÇK-së. Nuk është hera e parë, por skeçi ia ka dhënë grushtin e fundit”, ka thënë Gashi.
Ai shtoi se, “duhet të studiohet shtypi për UÇK-në, para dhe pas luftës. Mbetet enigmë vrasja e njerëzve. Duke filluar prej dhjetorit 1996, vrasjes më enigmatike të Mehë Ukës në vitin 1996. Më 1997 vrasja e Zahir Pajazitit. Nnë tetor të po atij viti, vrasja e Adrian Krasniqit, ushtari i parë i vrarë me uniformë. Vrasjet e vitit 1998, sikurse që është Adem Jashari, në maj, Ilir Konushevci, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani”.
“Duhet me prit edhe shumë vite për me i pa dokumentet. Kemi me mujt me studiuar më mirë. Serbia ka qenë shumë thellë e futur brenda në Kosovë”, tha Gashi.
Gazetari Vehbi Kajtazi ka përmendur fushatën linçuese dhe kërcënuese ndaj aktorëve të “Stupcave” për një vepër që e konsiderojnë artistike.
“Është e drejtë e tyre që të portretizojnë. Nuk ka diçka të ndaluar me ligj. Ata janë artistë dhe mund të bëjnë humor me këtë”, ka thënë Kajtazi.
Ai ka përmendur edhe disa vrasje të pasqaruara gjatë luftës, ndër të cilat përkujtoi Behajdin Hallaqin, i cili thuhet të jetë vrarë pas ndarjes nga Hashim Thaçi në një fshat të Rahovecit.
“Për me ju dhanë të drejtë atyre të cilët vrasin njeriun që lufton atëherë duhet të dihen disa rrethana të vrasjes së njerëzve të UÇK-së. Behajdin Hallaqin, duhet të dihen rrethanat se si u vra ai. Këtu në këtë studio Liburn Aliu i ka bërë thirrje Hashim Thaçit që të tregojë se si u vra ai kur dihet që së bashku kanë qenë duke udhëtuar së bashku”, tha Kajtazi.
“Ka dyshime se në këtë vrasje të jetë i implikuar Hashim Thaçi. Gjithashtu vrasja e pasqaruar e Ilir Konushevcit në territorin e Shqipërisë”, tha ai.






