Home Aktuale Të rinjtë e fshatit Nasalcë solidarizohen me refugjatët nga Lindja e Mesme

Të rinjtë e fshatit Nasalcë solidarizohen me refugjatët nga Lindja e Mesme

674
0
SHARE

Pas apelit të drejtuar natën e mbrëmshme nga ana e kryetarit të Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) në Preshevë dr. Lejlan Sadiku, për mbështetjen e refugjatëve me ushqime e kryesisht me veshëmbathje, për shkak të motit të ftohtë e shiut që po bie këto ditë në vendin tonë, rinia e fshatit Nasalcë nën organizimin e imamit të fshatit Mevludin Xhelali, ndërmorrën një aksion për grumbullimin e rrobeve dhe veshëmbathjeve të ndryshme për refugjatët nga Lindja e Mesme.

Banorët e fshatit Nasalcë u treguan mjaftë bujarë dhe iu përgjigjën ftesës me një vullnet tejet të lartë, duke grumbulluar sasi të konsiderueshme të rrobeve, këpucëve dhe atleteve (patikave), të cilat zyrtarisht i dërguan tek pika e shpërndarjes në fshatin Miratoc, të instaluar ditë më parë nga QSA Preshevë.

Gjësendet e grumbulluara u sollën me dy vetura, kurse imami i fshatit Mevludin Xhelili theksoi që ky është vetëm fillimi. Aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Tek imami i fshatit Nasalcë dhe të rinjtë, të cilët e shoqëronin atë, vërehej një entuziazëm i lartë për të vazhduar aksionin, për t’iu dalë në ndihmë të zhvendosurve nga Lindja e Mesme, të cilët po përballen me të ftohtin e trevës sonë.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit falënderon rininë e fshatit Nasalcë në krye me imamin për kontributin e dhënë, në mbështetje të aksionit tonë “Solidariteti nuk njeh kufinj”, përmes të cilit po u sigurohen pako ushqimore, si dhe gjësende tjera (veshëmbathje, shtrojë, mbulojë etj.)

QSA apelon tek poullata e Luginës së Preshevës që të vazhdojnë t’i mbështesin të zhvendosurit nga Lindja e Mesme, të cilët po kalojnë nëpër vendin tonë, pasi Lugina shquhet në regjion për humanizëm – misionin më fisnik dhe këtë traditë t’a kultivojmë edhe mëtej tek gjeneratat e reja, duke i dhënë edhe dimensionin ndërkombëtar.

Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit Preshevë
Departamenti i Solidaritetit