Home Aktuale Sulmi ndaj kryetarit të Partisë Republikane, sulm ndaj pakicave kombëtare në Serbi

Sulmi ndaj kryetarit të Partisë Republikane, sulm ndaj pakicave kombëtare në Serbi

767
0
SHARE

Para Pallatit të Drejtësisë, në Beograd, javën e kaluar, ka ndodhur një rrahje masive mes grupit të kryetarit të Partisë Republikane, Nikolla Sandulloviq dhe të akuzuarve për tentim vrasje të Zoran Teshiq dhe njerëzve të tij.

Gjykata e Lartë, në Beograd, gjatë vitit 2012 në shkallën e parë ka dënuar Zoran Teshiqin me shtatë vite burgim për vrasje të rëndë në tentativë, vendosjen e eksplozivit nën veturën e Sandulloviqit më 18 janar të vitit 2010 dhe në atë kohë është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Këtë gjykim, megjithatë e ka hequr Gjykata e Apelit, duke urdhëruar rigjykimin.

Nikolla Sandulloviq, para disa muajve ka regjistruar Partinë Republikane e cila në kuadër të saj përfshinë pakicat kombëtare në Serbi, duke llogaritur edhe atë shqiptare, me degët e saj edhe në Bujanoc e Preshevë.

Partia Republikane, është i vetmi subjekt politik në Serbi, i cili angazhohet që në mënyrë institucionale t’i qaset problemit të pakicave kombëtare edhe atë sipas standardeve ndërkombëtare.

Kohëve të fundit, zëri politik i kryetarit Sandulloviq, nuk ka lënë pa prekur as politikën e njëanshme të kryeministrit Vuçiq, si ndaj pakicave kombëtare si ndaj Kosovës, duke kërkuar ndryshime në skenën politike të Serbisë, raporton Zëri.

Sulmin në Pallatin e Drejtësisë, Nikolla Sandulloviq, e ka vlerësuar një skenar të përgatitur mirë nga struktura të shtetit, të cilat i pengon politika parimore dhe pragmatike e liderit të Partisë republikane.

Vlen të theksohet se Nikolla Sandulloviq, ka qenë këshilltar i lartë politik i ish kryeministrit të ndjerë Zoran Gjinxhiq.

Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin Saqipi shprehet i pakënaqur me respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

Ai thotë se ka nevojë për ringjallje të opozitës që mbron interesat e pakicave. Sipas tij është më se e domosdoshme një parti opozitare për pakicat të përkrahet, pasi që thekson se deri më tash nuk kanë treguar kurrfarë interesimi partitë serbe për pakicat, por vetëm se ua kanë marrë votat.

“Është mirë që të përkrahet një parti e cila del nga serbët që i përkrah pakicat dhe i avancon në shtet”, thotë ai për “Zërin”.

Kjo thotë se tani është shumë aktuale të ndodh sidomos për faktin se partitë shqiptare po dështojnë të mbrojnë interesat e shqiptarëve në Serbi.

Myftiu Saqipi thotë se shqiptarët duhet të respektohen në Serbi me të gjitha të drejtat siç po respektohen pakicat serbe në Kosovë.