Kryetari i BFI-së Sulejman Rexhepi në një takim urgjent me Rijasetin, në praninë e 12 myftive, diskutoi sulmin e sotëm mbi BFI-së dhe dënoi aktin e dhunës.
Myftitë njëzëri kërkojnë që organet e rendit të veprojnë për mbrojtjen e institucionit fetar islam. Sipas Rexhepit, bëhet fjalë për grup të manipuluar dhe të keqpërdorur politikisht, për nxitjen e konfliktit brenda shqiptarëve dhe myslimanëve mes vete.
“Ato njerëz nuk e kanë pasur atë guxim, as që e kanë atë guxim. Ata janë të mjerë, por për fat të keq unë i frikësohem situatës së përgjithshme në Maqedoni, mos vallë dikush i përdorë si xhokerë, për të ndihmuar situatën edhe ashtu të brishtë në vend. Situatë e tensionuar ndëretnike, brenda edhe një etniteti”, deklaroi Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.
Rexhepi tha gjithashtu se grupi kryengritës ka mbështetjen edhe të policisë, të cilët edhe pse sipas informatave të tij kanë marrë urdhër nga Prokuroria për të vepruar, nuk po bëjnë asgjë për ti dëbuar personat që me dhunë kanë marrë peng objektin e BFI-së.
“Kam informata se Prokuroria Publike dhe Prokurori Publik e ka kryer punën e vetë dhe vendimi i tij duhet të implementohet, të ekzekutohet. Si duket kjo punë zvarritet. Si duket kjo punë sabotohet”, tha Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së.
Edhe kryetari i Kuvendit të BFI-së Haki Agushi dënoi incidentin e sotëm në Shkup.
“Besoj se nuk ka asnjë hoxhë por as edhe një mysliman që pajtohet me këtë, pasi ka pasur edhe metoda të tjera që të vijmë tek një marrëveshje, e të mos vijmë tek dhuna që është bërë”, u shpreh Haki Agushi, kryetar i Kuvendit të BFI-së.
Sulejman Rexhepi u bëri thirrje besimtarëve që të përmbahen nga hidhërimi dhe të mos bien pre e provokimeve, të mos tentojnë që ta marrin drejtësinë në dorën e tyre. Ai tha se u jep shans institucioneve të rendit të dëshmojnë se janë në shërbim të drejtësisë, përpara se të ndërmerr hapa Rijaseti për kthimin e pronës së BFI-së. Benjamin Arifi
[youtube url=” https://www.youtube.com/watch?v=gjLc8zETPyk ” width=”560″ height=”315″]






