“Për një mëngjes ndryshe” titullohet romani i dytë i shkrimtares nga Gjilani me prejardhje nga Tërnoci i Bujanocit.
Libri “Për një mëngjes ndryshe” i shkrimtares Albina (Aliu) Idrizi së shpejti pritet të del në dritë ngase tashmë është dorëzuar në shtyp në botim të LSHK – së me Flora Brovina editor, Abdyl Kadolli redaktor dhe Rexhep Qosja recensent.
Ky është roman për temën e gjithmonshme të letërsisë – për dashurinë.
Por, e veçanta kuptimisht e rëndësishme dhe arstistikisht posaçërisht e dukshme e këtij romani është dashuria prej autores e quajtur figurshëm ndryshe dhe kjo ndryshe do të thotë: dashuri me përkushtim moral shumë nderimmeritues.
Protagonistja e romanit Ema dashurohet në një të ri, student, me emrin Guri, të cilin rrethanat e kobshme jetësore në mërgim e bëjnë të varur prej drogës. Dhe këtë varësi ai do ta sjellë edhe në vendin e vet kur të kthehet prej emigrimit, natyrisht në sajë të këmbënguljes së pandalshme të Emës.
Përkushtimi i Emës ndaj Gurit dhe fëmijës që ka me të më në fund ia kthejnë jetën dhe kuptimin dashurisë midis tyre.
Romani Për një mëngjes ndryshe, i shkruar në pak faqe, rreth dyqind, por me rrëfim të ngjeshur, dëshmon se Albina Idrizi është shkrimtare me dhunti krijuese dhe këtë dhunti e tregojnë mjeshtëria rrëfyese, pasuria gjuhësore, bukuria e stilit.
Lexojeni këtë roman: do t’ju përvetësojë me ngjarjen shumë përshtypjebërëse, me ligjërimin mjeshtëror dhe me bukurinë e shprehjes artistike.
Mjaftueshëm që të dëshironi roman të ri prej Albina Idrizit ka thënë mes tjerash recensenti i këtij libri Rexhep Qosja.
Letërnjoftimi letrar i Albina (Aliu) Idrizit
U lind në Tërnoc (6 maj 1966) të komunës së Bujanocit. Si fëmijë shpërngulet në Gjilan ku edhe kryen shkollimin fillor dhe ate të mesëm. Fakultetin Filolgjik, drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe përfundon në Universitetin e Prishtinës.
Prozën e parë e boton si nxënëse e shkollës fillore më 1980 në revistën për fëmijë ‘ Pionieri’ nga ku përfshihet edhe përmes poezisë në periodikun e kohës deri më 1997 kur boton përmbledhjen e parë me poezi për të rritur ‘Heshtje e mbarsur’ në botim të RILINDJES. Në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen për fëmijë ‘ Ëndrra me ylberë’. Në prill të vitit 2009 boton romanin ‘Hijet e kullave’. I mirëpritur nga lexuesit dhe kritika si ‘një ndër librat që bëjnë historinë’ romani përkthehet në gjuhën rumune po të njejtin vit në Bukuresht në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumunisë ALBANESUL. Në të njejtin vit përzgjidhet t’i bashkohet poetëve shqiptarë nga të gjitha viset me poezitë e saja në antologjinë dygjuhëshe: shqipe dhe rumune TEMPLUL CUVANTULUI gjegjësisht TEMPULLI I FJALËS. Në prill të vitit 2010 del nga shtypi përmbledhja me poezi për të rritur ‘Dashuruar në diell’ .
Në Gembloux, qytetin muzeal në periferi të Brukselit në Belgjikë, në majin e këtij viti 2010, në Sallonin e 40 jubilar nderohet me medaljen e argjentë për poezi nga Akademia Europiane e Arteve.
Ndërkaq, nga Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve PEGASI Albania, nderohet me Çmimin Special për romanin ‘Hijet e kullave’.
Është anëtare e LSHK.
Albina Idrizi, tashmë ka arritur pjekurinë e saj krijuese. . Ajo po bën emër me veprën e saj dhe po e pasuron gjithnjë e më shumë sfodnin e letërsinë shqipe./Lugina Press/







