Home Aktuale Publikohen të dhënat zyrtare për emigrantët e vitit 2015

Publikohen të dhënat zyrtare për emigrantët e vitit 2015

806
0
SHARE

Lajmet mbi shtimin e emigracionit ilegal kanë tërhequr vëmendje të madhe dhe në media kanë qarkulluar shifra alarmante. Shifrat e fundit të dhëna nga EUROSTAT i përkasin vitit 2014, gjatë të cilit totali i azilkërkuesve kosovarë në Bashkimin Evropian ka qenë 26,310.

Mirëpo, disa prej vendeve kryesore ku shkojnë kosovarët tashmë kanë nxjerrë edhe shifrat zyrtare për muajin janar. Kurse, për t’i kuptuar përmasat e emigracionit gjatë javëve të fundit, duhet të shihen edhe raportet e vendeve kryesore të preferuara nga azilkërkuesit kosovarë, raporton Indeksonline.

Tre vendet kryesore të destinacionit të emigrantëve kosovarë në vitin 2014 kanë qenë Gjermania, me 8,920 azilkërkues, Hungaria me 11,220 dhe Austria me 1,040 të cilat së bashku kanë pasur gjithsej 21,180 azilkërkues ose 80% të kosovarëve që kanë kërkuar azil në Bashkimin Evropian. Prandaj, edhe të dhënat e fundit që vijnë nga këto tre vende janë tregues kryesor për fluksin e ikjeve të qytetarëve për këtë fillimvit.

Agjencia Federale për Migrim dhe Refugjatë (BAMF) me qendër në Nuremberg ka nxjerrë këto ditë të dhënat e fundit për azilkërkuesit e muajit janar në Gjermani dhe ka treguar se numri i kosovarëve ka qenë 3,630. Ndërsa, adresa e parë e kosovarëve në Bashkim Evropian është Hungaria, e cila mban barrën më të madhe të emigrantëve ilegalë.

Sipas zyrës hungareze për Imigracion dhe Kombësi, prej fillimit të vitit 2015 dhe deri më 6 shkurt, në Hungari janë depozituar gjithsej 13,020 kërkesa për azil, nga të cilat pothuajse gjysma janë nga Kosova. Pra, sipas këtij njoftimi të datës 6 shkurt, në Hungari gjatë muajit janar kanë shkuar rreth 6510 kosovarë.

Ndërkaq, destinacioni i tretë më i madh është Austria dhe sipas të dhënave zyrtare të nxjerra nga Ministria e Brendshme e Austrisë të cilat janë përcjellë bujshëm edhe në mediat kryesore austriake, shihet se në muajin janar të vitit 2015, numri i azilkërkuesve kosovarë ishte 1,029.

Nëse e bëjmë një analizë të thjeshtë, derisa totali i azilkërkuesve në këto vende është 11,169 dhe përderisa trendi i vitit të kaluar tregon se 80% e azilkërkuesve kosovarë shkojnë në këto tre vende, atëherë totali i të larguarve në muajin janar mund të sillet përafërsisht në rreth 14-15 mijë azilkërkues dhe assesi 230 mijë. Kjo shifër është shumë e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara, por gjithsesi që është shumë më e ulët se shifrat alarmante apo spekulimet për një eksod të mirëfilltë, që po përmenden nga aktorë të ndryshëm publik.