Kultivimi i duhanit gjoja ilegal nga ana e një fshatari të Lubotenit ka qenë si shkas që forca të mëdha policore t’ia mësyejnë këtij fshati.
Banorët rrëfejnë të shqetësuar për INA se për çfarë është dashur aq policë e eksortë policore me mjete transportuese për të ndërhyrë tek bashkëfshatari i tyre XH.I, i cili ishte vetëm një kultivues duhani.
“Nuk kuptojë se përse kaq forcë e madhe, edhe ate për një bashkëfshatarin tonë bujq, që kultivon duhan. Nëse ka problem apo ndonjë dyshim, këtë punë mund ta pastrojnë edhe një apo dy policë, sepse nuk bëhet fjalë për ndonjë person aq të rrezikshëm. Këtu këta erdhën sikur me qenë këtu ndonjë grup i rrezikshëm e i armatosur. Nuk po e kuptojmë se përse po ndodhë kështu dhe po veprohet në këtë mënyrë”, thekson për INA, një i ri lubotenas.
Ekipet policore kanë ndërhyrë në shtëpinë e XH.I, por me të kuptuar banorët dhe pasi që kanë hasur forcat e shtuara policore, ata kanë dalur në rrugë, duke kërkuar tërheqjen e shpejtë të policisë dhe ndalimin e këtij veprimi ndaj bashkëfshatarit të tyre, që sipas tyre ka qenë vetëm një kultivues duhani dhe jo ndonjë kontrabandist.
Fshatarët lubotenas theksojnë se ata janë kultivues tradicional të duhanit, por gjithmonë pas gjithë mundit dhe punës së bërë, ata manipulohen dhe janë objekt i zvarritjeve të ndryshme, duke arritur të mos përfitojnë paratë e duhura apo të planifikuara. Sipas tyre, duke pasur parasysh këto peripeci, banorët kultivojnë sasi të vogla duhani për nevojat e tyre dhe rrethit të tyre për konsumim të duhanit të pastër.
“Ky është një realitet dhe tradicionalisht është kjo praktikë. Në të gjitha kohrat, por tani dikush do të na ndalojë edhe këtë. Nuk e kemi të qartë se për sasi të vogla për nevojat tona pse të jetë ilegale apo kundër ligjit. Por e kuptojmë se këto ndërhyrje kanë qëllime të tjera”, theksojnë disa banorë të fshatit.
Policia pasi që nuk ka mundur të vijoj operacionin e planifikuar dhe pas bllokadës së banorëve, pas disa orëve është tërhequr.
Luboten është një nga fshatrat e njohur që tradicionalisht ka dhënë shumë martirë në luftrat e së kaluarës. Së fundi ky fshat njihet me masakrën e bërë në vitin 2001, kur nga forcat maqedonase të sigurisë më 12 gusht një ditë para firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit ndërhynë në këtë fshat duke vrarë 10 veta, mes tyre edhe një gjashtë vjeçar, duke djegur 14 shtëpi dhe arrestuar e keqtrajtuar 100 banorë. Kjo masakër u gjykua edhe nga Tribunali i Hagës, me ç’rast u dënuan ish-ministri i brendshëm Lube Boshkovski dhe ish-komandanti i sigurisë, Johan Tarçulovski. (S.S/INA)






