Lideri i PDK-së dhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, nuk ka qëndruar indiferent ndaj zhvillimeve brenda Bllokut VLAN, të cilat gjithsesi shkojnë në favor të partisë së tij. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “ndihet i inkurajuar që partitë politike e kanë kuptuar se bllokimi është i pakuptimtë”.
Thaçi ka shkruar se “PDK si parti fituese, vlerëson se institucionet e reja duhet të ndërtohet në bazë të rezultatit zgjedhor dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
Lexojeni të plotë postimin e Hashim Thaçit në Facebook:
“Ndihem i inkurajuar që partitë kryesore politike kosovare më në fund e kanë kuptuar se bllokimi i mëtejshëm i themelimit të institucioneve të reja është i pakuptimtë dhe i pajustifikueshëm.
Unë ndjej keqardhje për kohën e humbur mirëpo konsideroj se ne si parti politike tani duhet të kemi vullnet politik të themelojmë institucionet e reja kredibile sa më shpejt në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
PDK-ja si parti fituese vlerëson se bazë per ndertimin e institucione te reja duhet të jetë rezultati zgjedhor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Unë besoj në vullnetin e mirë dhe pjekurinë politike të përbashkët.
Kosova dhe qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre dhe ne duhet ta materializojmë atë duke punuar bashkërisht për të mirën e vendit tonë. HTH” (sic), ka shkruar Thaçi në Facebook.






