Vojisllav Sheshel, ka kritikuar qëndrimin e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me vizitën e homologut të tij shqiptar, Edi Rama në Beograd. Sheshel, i cili u lirua nga Tribunali i Hagës për arsye shëndetësore, ka thënë se Vuçiq, kot tani “po ulërin”, pasi që për pavarësinë e Kosovës i flasin të gjithë liderët e BE-së dhe jo vetëm Edi Rama, transmeton Telegrafi.
Sheshel ka thënë se ekziston ideja e Serbisë së madhe dhe ajo nuk shuhet kurrë. Krimineli Sheshel, i cili po akuzohet për krime të kryera gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë, është liruar ditë më parë nga Tribunali i Hagës për arsye shëndetësore.
“Bashkimi me BE-në do të ishte fatkeqësi për Serbinë, nuk ka vend për ne aty. Më kot Vuçiq po ulërin tek kryeministri i Shqipërisë. Pse nuk po i kundërshton deklaratat e zyrtarëve të BE-së, të cilët flasin dhe mendojnë si ai (kryeministri shqiptar, Edi Rama). Kam dy kancere, e dini se si i kam emëruar. Njëri mban emrin e Tomisllav Nikoliçit tjetri të Aleksandar Vuçiçit. Kuptimi i Partisë Radikale Serbe është ideja e Serbisë së madhe. Nëse humb ajo ide, atëherë çfarë të kërkojmë ne në skenën politike”, tha Vojisllav Sheshel, Partia Radikale Serbe.






