100 VJETORI I LINDJES
1914-2014
MUDERRIS HAKI SERMAXHAJ
Hoxha që u bë kurban i popullit të vet
U lind më 14.10.1914 në Hogosht. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm. Medresen e mesme e filloi në atë “Atik” të Gjilanit dhe më pas atë të Medahut në Shkup.
Rrjedhë nga një familje me tradita të shquara fetare dhe atdhetare e përparimtare, që në moshë të re ai u shqua për zgjuarsi dhe kurajo. Në vitet 1940-1944 ishte mësues apo profesor i fesë dhe drejtor i medresës së Gjilanit, ku e futi gjuhën shqipe i pari si lëndë mësimi. I ushqyer me ide përparimtare që në medresën e Shkupit mbante lidhje me intelektualët shqiptarë në Gjilan, Shkup dhe Prishtinë. Fjala e tij e lartë patriotike ndëgjohej me vëmendje në shkollë, në xhami e oda burrash në Gjilan dhe rrethinë.
Në vitet 1944-1947 iu bashkua lëvizjes gjithpopullore shqiptare të rrezistencës dhe ishte anëtarë i komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë në Shipashnicë të Epërme që e formoi prof. Gjon Serreqi.

Haki efendiu ishte i njohur si persnoalitet, jo vetëm për fenë por edhe për drejtësinë kombëtare. Me iniciativën e tij u ndërtuan shumë klasë të tjera të mësimit. Për natyrën e tij të afërt me nxënësit dhe kulturën e tij të gjerë ai shquhej në veprimtarinë didaktike të kohës. Ishte zotrues i disa gjuhëve të huaja: arabe, persiane, turke, boshnjake dhe gjuhës amëtare që e fliste shumë rrjedhshëm dhe bukur.
Njerëzit që e njohin sot tregojnë se ishte pedant, i ndershëm. Gëzonte simpatinë e nxënësve të cilët ndiqnin me kënaqësi dhe vëmendje leksionet që iu jepte ai në mënyrën më të kuptueshme dhe të saktë. Ai kishte një pasin të madhë në dhënien e mësimit dhe gjithmonë vinte i përgatitur dhe ishte i gatshëm për çdo pyetje, e sqarim nga nxënësit që kërkonin të cilët kishin rrespekt të madh për të. Ai vazhdonte edhe predikimin në xhamitë e qytetit dhe të fshatrave dhe dëgjohej me vëmendje e kënaqësi, sidomos nga rinia dhe intelektualët e asaj kohe. Ligjëratat e tij dalloheshin për nga kultura e lartë dhe mënyra e përsosur bashkëkohore e shpjegimeve të dispozitave islame dhe të çështjeve kombëtare. Ishte njeri jo vetëm që e thoshte të vërtetën, por edhe vepronte drejt, jo vetëm që i thoshte parimet, por qëndronte me këmbëngulje që edhe t’i mbrojë ato. Kudo ai jepte shembull pozitiv. Kishte pikëpamje demokratike, prandaj edhe luftoi për demokratizimin e vendi, duke e dëshmuar vetën si luftëtarë dhe patriot demokratik.
Pika e tij qëndrore ishte Kosova. Ai nuk mund të konceptonte atë nën sundimin sllavo komunist. Pavarësia e Kosovës dhe bashkimi kombëtarë është objekt kryesorë për të cilin punon ai dhe është në vazhdën e Rilindasve kur mendon se kjo duhet filluar nga arsimi.
Shërbimin ushtarak e kreu në Valevë në kohëzgjatje prej 18 muajsh.

Muderris Haki ef. Sermaxhaj, drejtor dhe mësimdhënës në Medresen “Atik” të Gjilanit e cila ishte në oborrin e xhamisë Atik e cila funksionoi që nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në vitin 1944, u nda nga medresja në shkurt të vitit 1947 kur arrestohet nga OZN-a e Jugosllavisë dhe dënohet nga Gjykata e qarkut në Prishtinë (prokuror ishte Ali Shukriu) me 20 vjet burg të rëndë.
Më 27 mars të vitit 1948 vdiq nga torturat dhe represioni i madhë që bënin në trupin e tij çetnikët serbë në Mitrovicën e Sremit ku dhe është varrosur dhe varri i tij nuk është ruajtur, edhe pse familjaret e tij janë munduar disa herë që të sjellin në vendlindje trupin e tij.
Në artikullin e datës 16.4.2001 në Gazeta “Bota sot”, të autorit Rexhep Abdullahu, theksohet se Muderris Haki Taipi nga Hogoshti ka vdekur në burgun e Mitrovicës së Sremit nga uria.
Xhamia e Hogoshtit mban me krenari prej vitit 2003 emrin e tij edhe sot e gjithë jetën.
Shënimet i mora nga dokumentacioni i K. B. Islame të Gjilanit; nga “Dituria Islame” numër 61 fq.9; nga libri “Gjon Serreqi dhe NDSH-ja” të autorit Dr. Ismet Dërmaku dhe Dr. Muhamet Pirraku “Mulla Idriz Gjilani” etj.
Më shumë për Haki efendiun shih librin Haki efendiu 1914-1948 nga autorët Mr.Aliriza Selmani dhe Hfz.Avni Aliu.








