Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) në Preshevë gjatë ditëve të festës së Kurban Bajramit ka zhvilluar një mori aktivitetesh që lidhen me këtë festë. QSA ndër vite po e implementon projektin tashmë tradicional “Shporta e Kurban Bajramit”, i cili lidhet ngushtë me kryerjen e ibadetit të sakrificës së kurbaneve që financohen nga donatorët dhe shpërndarjen e mishit të këtyre kurbaneve familjeve në nevojë në Luginë të Preshevës.
QSA në Preshevë që nga themelimi i saj ka organizuar projektin në fjalë dhe me kalimin nëpër vite, duke i dhënë vehtes një obligim të lartë, ka arritur që këtë projekt t’a realizojë në standarde më të larta, që mund të ofrohen në vend. Këto standarde lidhen para së gjithash me implementimin e projektit në forma krejtësisht legale, me kritere të larta të komponenteve të ibadetit dhe cilësisë së kafshëve të cilat janë sakrifikuar, si dhe kushteve higjeniko-sanitare të trajtimit të mishit të kurbaneve.
Falë mbështetjes së organizatës partnere nga Gjermania “Muslime Helfen”, bashkatdhetarëve tanë që përmes qendrave tona në diasporë bënë dhurimin dhe grumbullimin e kurbaneve, si dhe donatorëve tanë lokal në Luginë, QSA arriti të grumbullojë 141 kurbana, për të cilët therri një numër të madh kafshësh (22 lopë), duke siguruar një sasi të konsiderueshme të mishit rreth 5 tonelata, të cilat këto ditë ua shpërndau familjeve në nevojë në Luginë të Preshevës, përkatësisht në komunat Preshevë e Bujanoc.
Përmes projektit u përfshinë mbi 700 familje në nevojë të kategorive të ndryshme në një shtrirje të gjerë gjeografike në gjatësi prej rreth 60 km, duke filluar nga fshati më i largët i komunës së Preshevës në jug – Miratoc, deri në fshatërat më të largët të komunës së Bujanocit –Muhovc e Zarbincë, të cilat përfituan sasi të mishit nga 5-8 kg,varësisht prej numrit të anëtarëve të familjeve. Gjatë përpilimit të listave të familjeve përfituese, theks të veçantë iu dha vendbanimeve periferike të malësisë së Preshevës dhe Bujanocit, si zona me kushte më të veshtira ekonomike e sociale, pa lënë anash edhe familjet e vendbanimeve tjera më afër qendrave.
Përveç familjeve përfituese, QSA si çdo vit në shenjë falënderimi e respekti, ua dërgoi dhe nga një pako të mishit të kurbaneve edhe familjeve donatore, që edhe keto familje të ndjejnë aromën e mishit të kurbaneve të tyre.
E veçanta e Shportës së Kurban Bajramit të këtij viti është therrja e kurbaneve, e cila ashtu dhe siç është paralajmëruar më herët, është bërë në therrëtore të liçencuar dhe të pajisur me standardet HACCP dhe HALAL, në kushte të larta të përgatitjes teknike e higjenike, nga një staf profesional dhe në prezencë të hoxhës, i cili përkujdesej për pjesën e ibadetit dhe mënyrën e therrjes sipas normativave fetare. I tërë proçesi mbulohet me dokumentacionin përkatës, për të gjitha fazat e realizimit të tij.
Edhe pse e tëra kjo u realizua në një distancë të largët, QSA arriti të përmbushë nivele të larta të kritereve të parashtruara, lidhur me menaxhimin e projektit, si dhe implementimin e tij me të gjitha detajet, falë angazhimit dhe përkushtimit maksimal të stafit të saj.
Shpërndarja e pakove të mishit, edhe pse në kushte të vështirësuara për shkak të reshjeve të shiut, u realizua me sukses, falë punës së palodhshme të stafit dhe aktivistëve në terren të QSA-së, që mishi i kurbaneve të shkojë shtëpi më shtëpi, duke bërë dhe pranim-dorëzimin e pakove të mishit me nënshkrim të familjarit të familjeve përfituese.
QSA në Preshevë i falënderon të gjithë pjesëmarrësit në këtë projekt, të cilët në forma të ndryshme ndihmuan realizimin e tij. Përveç donatorëve të lartëpërmendur, QSA në mënyrë të veçantë falënderon Qendrat tona në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Austri, që u përkujdesën për gjetjen e donatorëve për mbështetjen e projektit.
Falënderim i veçantë i shkon kompanisë “Agrokultura” e cila si çdo vit, e vë në dispozicion automjetin e saj për transportin e mishit gjatë shpërndarjes, si dhe imamit të xhamisë Ebu Bekër es Siddik në Preshevë hoxhë Sevdail Jakupit, për konsultat dhe mbulimin e pjesës fetare që lidhen me kurbanin.
Falënderim tjetër i veçantë nga QSA i drejtohen bashkëqytetarit tonë nga Presheva z. Osman Hajrullahut, i cili për nevoja të familjeve të varfëra dhuroi një sasi të konsiderueshme të këpucëve dhe mbathjeve sportive (atleteve), të cilat u shpërndanë para festës së Bajramit.
QSA gjithashtu falënderon dhe bashkëqytetarët tanë në Preshevë e Tërnoc, të cilët me përkujdesin dhe respektin e tyre ndaj projektit dhe dhe në përgjithësi QSA-së, vunë në dispozicion ambientet e tyre të përshtatshme për deponimin e përkohshëm të mishit të sjellur nga therrëtorja me auto-frigorifer.
QSA poashtu falënderon Radio-televizionin Presheva, e cila medialisht e ka mbuluar realizimin e projektit “Shporta e Kurban Bajramit 2014”, duke filluar me përgatitjen dhe emetimin e spotit të kurbanit, emisioneve gjatë realizimit të projektit, si dhe përcjelljen mediale të shpërndarjes së pakove të mishit.
Në fund QSA drejtohet me një lutje tek Zoti Fuqiplotë, që të gjithë donatorëve t’ua pranojë sakrificat (kurbanat) e tyre dhe t’ua shumëfishojë pasurinë e tyre, familjeve në nevojë t’u lehtësohet gjendja, që paqja dhe qetësia shpirtërore të mbizotërojë tek ta, QSA gjithashtu lutet që të gjithë kontribuesit të shpërblehen nga Krijuesi ynë për nivelin e lartë të gatishmërisë për të ndihmuar dhe mundin e dhënë gjatë këtyre ditëve.
QSA-së në Preshevë uron të gjithë besimtarët në katër anët e globit e në veçanti ata të Luginës së Preshevës – Gëzuar festën e Kurban Bajramit, me dëshirë që Bajramet e ardhshëm të n’a gjejnë në paqë e harmoni ndërnjerëzore, në kushte më të mira ekonomike e sociale, me një numër sa më të vogël nevojtarësh në trevën tonë.
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Preshevë
Departamenti i Solidaritetit











