Rreth 350 ushtarë amerikanë nga Alaska, muajin e ardhshëm do të nisin bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe me njësitë e misionit të BE-së, në zonat e banuara nga serbët dhe shqiptarët.
Mirëpo, mediat amerikane raportojnë se këta ushtarë amerikanë nuk do të jenë reaguesit e parë në rast të ndonjë krize të mundshme.
“Ne thjesht i përkrahim ata (Kosovën dhe BE-në) dhe punojmë që populli i Kosovës të sigurohet se ambienti në të cilin jetojnë është i sigurt”, ka thënë komandanti i kësaj njësie, Kolonel Clint Baker.
Ekipi i ushtarëve amerikanë fillimisht do të qëndrojë në Gjermani për trajnime, para se të fluturojnë drejt Kosovës, ku do të vendosen në dy kampe.
Koloneli Baker iu ka thënë mediave amerikane se qëndrimi në Kosovë do të jetë një ndryshim i mirë për ushtarët, pasi ata janë të mësuar që të dërgohen në zona aktive lufte si ajo e Irakut dhe Afganistanit.
Mediat amerikane thonë se është rastësi interesante fakti që një nga kampet ku do të vendosen ushtarët amerikanë quhet kampi “Bondsteel”, i emërtuar kështu sipas një heroi ushtarak me origjinë nga Alaska.
James Leroy Bondsteel ishte nderuar me medaljen e Nderit nga tash ish presidenti amerikan, Rixhard Nixon, për pjesëmarrje në luftën e Vietnamit.
Bondsteel ka vdekur në vitin 1987 gjatë një aksidenti me makinë.
Ushtria amerikane deri në vitin e kaluar në Kosovë dërgonte vetëm pjesëtarë të Gardës Kombëtare apo rezervistë.
Nga viti i kaluar e deri më tash SHBA dërgojnë në Kosovë ushtarë aktivë.






