Home Aktuale Ymeri: Shqiptarët e Luginës janë të shpërfillur nga Prishtina e Tirana

Ymeri: Shqiptarët e Luginës janë të shpërfillur nga Prishtina e Tirana

130
0
SHARE

I pari i Vetëvendosjes sot ka diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, dhe nënkryetarin e Komunës së Preshevës, Xhelal Memeti.

Ai në një postim në Facebook thotë se shqiptarët e asaj zone janë të shpërfillur nga Prishtina e Tirana, transmeton presheva.com.

visarymeri-1

“Bashkë diskutuam për gjendjen e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, të cilëve, të përndjekur e të diskriminuar nga Serbia, e të shpërfillur nga Prishtina e Tirana, për çdo herë e më shumë po u shkelen të drejtat, po u përkeqësohet e vështirësohet jeta. Shqiptarët që jetojnë historikisht në këto 3 komuna janë një ndër bashkësitë më të diskriminuara e më të rrezikuara të Evropës. Ky rrezik dhe diskriminim vjen nga Serbia e cila pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërkohë që aplikon praktika represive karshi shqiptarëve”, ka shkruar Visar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

Ymeri më tej ka thënë se Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet që të ngrenë zërin kundër shtypjes së shqiptarëve në atë zonë.

“Institucionet publike të shqiptarëve në Tiranë e Prishtinë duhet urgjentisht ta ngenë zërin dhe ta luftojnë këtë diskriminim e përndjekje ndaj shqiptarëve. Është e papranueshme që Serbia të mos kushtëzohet deri sa ajo të mos e ndryshojë politikën e saj shtypëse karshi shqiptarëve, e hegjemoniste karshi shteteve të rajonit. Bashkëpunimi, afrimi e miqësimi me Vuçiqin nuk është i ndarë prej të kaluarës së tij kriminale e së tashmes së tij shtypëse. Në rrethanat aktuale, kur heshtet karshi qeverisjes së Vuçiqit, bashkëpunimi me të rrezikon të shndërrohet në legjitimim të shtypjes”, shtoi Ymeri.

Politika e bashkërenduar e Tiranës dhe Prishtinës, sipas Ymerit, duhet ta ketë në fokus mirëqenien, barazinë, e të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, duke u shërbyer shqiptarëve dhe t’iu garantojë se ata nuk do të jenë viktima të përndjekjes e shpërnguljes. /presheva.com/