Home Aktuale VIZITË E MIRËPRITUR ME KAUZË TË ZBEHUR

VIZITË E MIRËPRITUR ME KAUZË TË ZBEHUR

275
0
SHARE

Shkruar nga: Nexhmedin Ademi

Nuk është histori e panjohur pjesëmarrja apo bojkoti i shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet e nivelit qëndrorë në Serbi. Një refren politik i njohur e i përsëritur që nga fillimi i pluralizmit politik në Luginë të Preshevës. Deri tani këto veprime politike nuk kanë dalur si rezultat i një analize të detajizuar e një platforme politike që do të ndryshonte mirëqenien e shqiptarëve dhe do të avanconte statusin politik të tyre. Shqiptari i Luginës së Preshevës këto veprime politike në vend se t’i shikoj si kapital politik, më shumë i ka parë si instrumentalizim për konsum të brendshëm politik të subjekteve politike që veprojnë në Luginë të Preshevës. Subjektet politike, shoqëria civile në kontinuitet kanë shprehur pakënaqësi lidhur me pamundësinë e materializimit të kërkesave politike minimaliste të shqiptarëve të Luginës së Preshevës si: simbolet kombëtare, zyrtarizimi gjuhës shqipe, madje edhe pamundësia e sigurimit të mbështetjes juridiko – kushtetuese për t’u diskriminuar pozitivisht si entitet politik, njësoj sikur, pakica nacionale serbe në Kosovë, e deri te kërkesa maksimaliste, plebishiti i vullnetit politik i shqiptarëve të këtushëm për bashkangjitje me Kosovën.

Politikë integraliste kombëtare

Vizita e z. Cakajt, si ministër i Republikës së Shqipërisë, është për t’u përshëndetur. Mbetet shumë e paqartë agjenda e kauzës politike që po e shtynë në këto momente kjo vizitë! Subjektet politike, pa përjashtim, shoqëria civile, si dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, pritshmërit e angazhimit politik në prag të fillimit të bisedimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit do të duhej t’i kishin shumë më të larta. Të gjitha energjitë politike do të duhej të fokusoheshin në vendosjen e statusit politik të shqiptarëve në tryezën e bisedimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit. Agjenda politike që forcojnë vetëdije politike integraliste në institucione shtetërore të Serbisë, së paku në këto momente nuk do të duhej të meritonin vëmendjen e opinionit publik. Semiotika politike e kësaj vizite me agjendën e saj zhvendos prioritetet e duhura të angazhimit politik konform kërkesave që shtron aktualiteti.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë historisë kanë qenë të përfshirë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme që i kanë shtyer kauzat kombëtare shtetëformuese deri te ato ngjarje që në rrafshin politik kanë nxitur vetëdijesim politik integralist brenda kombëtarë. Një aspiratë politike të kësaj natyre shqiptarëve nuk ia ka shuar as mbetja e pavullnetshme në kufijt politik administrativ të vizatuar nga Jugosllavia titiste, e cila ardhmërinë politike nën kauzat komuniste të vëllazërim bashkimit jugosllav ia projektoi shqiptarëve autokton të këtyre trojeve, duke i shkëputur nga trungu i etnitetit kombëtarë shqiptarë, për të mbetur nën Serbinë e sotme.

Negociimi i statusit politik

Ne mund të dukemi emocional, jo racional në kërkesat tona për bashkangjitje me Kosovën. Mund të na thuhet se projekti i bashkimit dëmton interesat shqiptare duke krijuar deekuilibra politik e gjeostrategjik në rajon. Të gjitha këto mund edhe pak a shumë të qëndrojnë. Megjithatë, ne edhe kësaj here, aq më shumë kur po flitet për bisedime paqësore shqiptaro – serbe, me ngulm do të kërkojmë negociimin e statusit politik të Luginës së Preshevës. Nga këndi i vullnetit tonë politik korigjimi, apo shkëmbimi, do të jene opsione të mundshme përfundimtare që mundësojnë bashkangjitje me Kosovën. Varianti tjetër i mundshëm mund të jetë edhe avancimi i statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konform vullnetit politik që i siguron status apo entitet politiko – juridik pakicës serbe në Kosovë.
I nderuari ministër z. Cakaj faliminderit për vizitën, interesimin, paralajmërimin për hapjen e zyrës konsullore në Luginë. Do të ishte mirë të konkretizohej edhe ideja e hapjes së një zyre për Luginën e Preshevës pranë Mnistrisë së Jashtne te Republikës së Shqipërisë, ide që ia patëm kërkuar paraardhësit tuaj, z. Ditmir Bushatit. Për të gjitha këto të jemi mirënjohës. Megjithatë, momentumi historik këto agjenda i bënë më pak të rëndësishme, para angazhimit për ta vendosur në tavolinën e bisedimeve në mes Beogradit dhe Prishtinës statusin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kjo do ta dekonspironte megalomaninë politike të disa liderëve politik lokal duke na krijuar përshtypjen se në bisedat interne, të panjohura për opinionin publik, janë biseduar gjëra me konfidencialitet të lartë për fatin e rëndësishëm të popullit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Mund të mos jemi shumë të ditur, por mos na fyeni intelegjencën sa të mos kuptojmë se qylymat e kuq kësaj rradhe mysafirit të lartë nga Shqipëria iu janë shtruar për kauza drejt Beogradit.
Herave tjera ndoshta ndryshon çështja. Meqë politika është art i së mundshmes, ka mundësi që ky muhabet të ndryshoj edhe pa juve. Në politikë kurrë mos thuaj kurrë.

p.s

Opinioni përmban mendimin personal të autorit!