Home OPIONIONE Viti që i jep fund një epoke?

Viti që i jep fund një epoke?

96
0
SHARE
Nga Javier Solana – Prioriteti i botës për vitin që vjen duhet të jetë arritja e paqes në Siri.
Marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe SHBA-së duhet të mbesin të forta, të rrënjosura te respekti i ndërsjellë ndaj demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Pas një viti turbulent 2016, me pak lajme pozitive në politikën ndërkombëtare, viti 2017 ka të ngjarë që të jetë vit i sfidave dhe pasigurive

Derisa viti 2016 i afrohet fundit, perspektiva për vitin 2017 mbetet e pasigurt. Tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje dhe lëvizjet populiste janë paraqitur në Evropë dhe në SHBA.

Në Lindjen e Mesme, konflikti tragjik në Siri vazhdon, përkundër disa tentimeve të padobishme për afrim, të cilat ishin karakterizuar nga mosmarrëveshjet fundamentale rreth rolit të ardhshëm të presidentit sirian, Bashar al-Assad, në ndonjë proces paqësor, apo tranzicion politik. Në ndërkohë, gjatë javës së kaluar, trupat e Qeverisë siriane, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, morën pjesën më të madhe të Alepos, i cili dikur ishte qyteti më i madh sirian, e që tani thuajse i tëri është i shkatërruar nga luftimet.

Prioriteti i botës për vitin që vjen duhet të jetë arritja e paqes në Siri, gjë që do të kërkojë një bashkëpunim të afërt regjional dhe ndërkombëtar. Më 27 dhjetor, Irani, Rusia dhe Turqia do ta mbajnë një takim trepalësh në Moskë, për të diskutuar arritjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin në Siri. Ky takim, nëse mbahet, ka të ngjarë që të ngelë nën hijen e vrasjes së ambasadorit rus në Turqi. Por, nuk është për t’u habitur nëse këto palë, e jo SHBA-ja dhe BE-ja, do ta negociojnë një marrëveshje të tillë. Një zhvillim pozitiv sivjet ndodhi në mars, kur BE-ja dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për ta adresuar krizën e refugjatëve.

Shumëçka mbetet e pasigurt

Turqia tani ka marrë më shumë se tre milionë refugjatë sirianë që nga fillimi i konfliktit. Edhe pse marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së nuk janë aktualisht më të mirat e mundshme, dialogu midis këtyre dy palëve duhet të vazhdojë gjatë vitit 2017, jo më pak për shkak të interesave të tyre të përbashkëta, të cilat bazohen jo vetëm te ndërvarësia ekonomike, por edhe në lidhje me krizën e refugjatëve dhe të luftimit kolektiv kundër terrorizmit.

Politika evropiane vitin e ardhshëm do të konsumohet rreth negociatave të Brexit-it. Në mars, Britania me gjasë do ta aktivizojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, duke filluar formalisht procedurën për të dalë nga BE-ja. Sfida do të jetë arritja e një marrëveshjeje, e cila do të garantojë mirëqenien e marrëdhënieve të ardhshme midis BE-së dhe Britanisë. Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe negociuesit e BE-së tanimë kanë caktuar një afat prej vetëm 18 muajsh. Derisa shumëçka mbetet e pasigurt, ajo që është e qartë, është se, nëse Britania dëshiron ta ruajë qasjen ndaj tregut të përbashkët evropian, ajo duhet të pranojë katër liritë e BE-së, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të punëtorëve. Në vitin 2017, disa shtete evropiane do të mbajnë zgjedhjet e përgjithshme dhe ekziston rreziku që lëvizjet izolacioniste dhe antievropiane, do të shënojnë sukses të madh. Për BE-në, humbja e një vendi me rëndësi aq të madhe ushtarake dhe ekonomike, sikur që është Britania, është tanimë mjaft keq, por ta humbë njërin prej shteteve themeluese, sikur që është Franca, do të ishte tragjike.

Paralajmërimet e Trump-it

Fatmirësisht, shumë evropianë kanë përmirësuar pikëpamjet e tyre ndaj BE-së pas referendumit pro Brexit. Por, vetëm kjo nuk do të mjaftojë për uljen e sfidës për qeveritë e vendeve të BE-së gjatë vitit të ardhshëm.

Referendumi Brexit, i pasuar nga fitorja e Donald Trump-it, sinjalizoi ngritjen e populizmit në Perëndim. Por, tani kur Trump është duke e mbushur kabinetin e tij qeveritarë me oligarkë dhe ish ushtarakë, kemi arsye që të dyshojmë se ai do ta mbajë premtimin për të qeverisur pa establishmentin e Uashingtonit.

Administrata e ardhshme e Trump-it është me plot të panjohura, por nuk ka dyshim se refuzimi i institucioneve multilaterale nga ana e tij, do t’i rrezikojë përpjekjet ndërkombëtare për të bashkëpunuar për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve më të mëdha të botës. Kjo mund të jetë e rrezikshme për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe BE-së. Gjatë viteve paraprake, klima e marrëveshjes së Parisit dhe marrëveshja bërthamore me Iranin, ishin rreze të dritës në një botë, e cila mbyllej ndaj multilateralizmit. Gjatë viteve të ardhshme, rrezet e tilla mund të bëhen edhe më të rralla.

Tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për atë lloj të dialogut i cili krijon një besim strategjik midis fuqive të mëdha. Dhe, paralajmërimet e Trump-it rreth mos vazhdimit të politikës amerikane “të një Kine të vetme”, mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet midis dy vendeve me ekonomitë më të mëdha në botë. Ngjashëm me këtë, përkundër një animi prorus të disa prej anëtarëve të ekipit të Trump-it, nuk do të kemi një rritje të besimit strategjik midis këtyre dy vendeve, për shkak të intervenimit rus në Siri, invadimit të saj të Ukrainës lindore dhe të përzierjes së saj të supozuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Viti që vjen do të ketë rëndësi sidomos për Evropën. Marrëdhëniet midis BE-së dhe SHBA-së duhet të mbesin të forta, të rrënjosura te respekti i ndërsjellë ndaj demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Pas një viti turbulent 2016, me pak lajme pozitive në politikën ndërkombëtare, viti 2017 ka të ngjarë që të jetë vit i sfidave dhe pasigurive. Por, pasiguria më e madhe është se a kemi të bëjmë tani me një fund të rëndomtë të vitit, apo me përfundimin e një epoke të tërë gjeopolitike.

(Javier Solana është president i Qendrës ESADE për ekonomi globale dhe bashkëpunëtor i dalluar i Institutit “Brookings”).

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”