Home Aktuale VEPRA E HOXHË JAKUP ef. HASIPIT DËSHMI PËR HISTORINË, nga Nexhmedin Ademi

VEPRA E HOXHË JAKUP ef. HASIPIT DËSHMI PËR HISTORINË, nga Nexhmedin Ademi

328
0
SHARE

6 janari, 2006, është dita e vdekjes së hoxhës së nderuar mulla Jakup ef. Hasipit. 
Në revistën, Identiteti, nr. V, pata botuar një shkrim për veprimtarinë e hoxhës së nderuar. Nga retrospektiva e kohës ndoshta do ta kisha shkruar pak më ndryshe. E postova më shumë pak ndryshime.
All – llahu e pastë mëshiru hoxhën e nderuar.

VEPRA E HOXHË JAKUP ef. HASIPIT DËSHMI PËR HISTORINË

Shkruan: Nexhmedin Ademi

Mulla Jakup ef. Hasipi veprimtarë i palodhur

Edhe pse u nda nga jeta e kësaj bote, hoxhë Jakup ef. Hasipi për shumë kohë do të mbetet në kujtimet e njerëzve. Ai me veprimtarinë e tij të palodhshme, arriti të bëhet një personalitet i cili depërtoi shumë shpejt në shpirtërat e njerëzve. Vepra e tij do të mbetet dëshmi për historinë. Historia gjithmonë ka rezervuar nën ombrellën e saj vend për njerëzit të cilët kanë lënë vepër prapa tyre. Sigurisht se edhe mulla Jakupi me veprimtarinë e tij do ta ketë vendin e vete të merituar në historinë e këtyre trojeve. Nuk është e nevojshme të shkruhet për t’i ngritur lartë personalitetet si mulla Jakupi. Është veprimtaria ajo që veprimtarët si mulla Jakupi i bënë të mbeten të paharruar. Figurat si hoxhë Jakupi janë të merituara që t’i përkujtojmë. Memorizimi i veprimtarive të njerëzve më dinjitet në kujtesën kolektive të popullit dëshmonë për nivelin kulutrorë të një populli i cili vlerat e merituara dinë t’i trashëgoj te gjeneratat e ardhshme. Gjenerata e reja do të mësojnë se ky popull nga e kaluara e afërt ka pasur burra pa pasur nevojë për kërkime të heronjëve në thellësinë historike e ndërtuar nganjëherë edhe mbi mite e trillime. Figurat e heronjëve në histori shpesh instrumentalizohen ideologjikisht, kulturalisht varësisht nga zhvillimet e kohës. Simbol i historisë moderne të ndërtimit të shtetit dhe sakrificës si vlerë me të ciliën duhet të krenohemi si komb para botës së qytetëruar, padyshim është familja e Jasharajve. Pas tyre mund të rreshtohen edhe shumë figura e heronjë, dëshmorë e veprimtarë në mesin e të cilëve i meritur është edhe hoxhë Jakup Hasipi.
Shumë personalitete shqiptare të jetës kulturore që i takojnë proviniencës islame kanë mbetur të harruar nën margjinat historisë. Qarqet elitiste intelektuale, në të kaluarën i qëndronin besnik koncepteve të realizmit socialist, të njëjtit tani të veshur me petkun e nacional demokracisë na mbajnë leksione në emër të shtresimeve të reja kulturore drejt integrimeve evropiane. Gati për një shekull këto personalitete të ndritura të kombit nga elitat intelektuale po vazhdojnë të mbeten të pahulumtuara. Kontributi i këtyre personaliteteve të ndikuara ideologjikisht dhe të formuara intelektualisht nga kultura dhe qytetërimi islam, nuk mundë të anashkalohet. Veprimtaria e tyre, asnjëherë nuk mundë të kontestohet për sa i përket angazhimit të tyre për ruajtjen dhe formimin e identitetit tonë kombëtarë.

Jeta dhe shkollimi

Hoxhë Jakup ef. Hasipi u lindë në fshatin Sllupçan. Familja e tij shquhej për një traditë fetare. Skollimin fillor e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme e mbaroi në Medresen e Mesme “El- Furkan”, në Damask të Sirisë. Me sukses mbaroi fakultetin e Usuli Dinit – Bazat e Fesë, në Univeritetin e Al – Ez-herit të famshëm, ku edhe diplomoi në Kajro të Egjiptit. Kolegët gjithnjë e kujtojnë për aftësit e jashtëzakonshme të memorizimit dhe hulumtimit të shkencave islame. I vazhdoi studimet pasuniverzitare në Bejrut të Libanit në univerzitetin “Evzai”.
Aktivitetin e tij e filloi si imam në qytetin Leverkusen të Gjermanisë. Në vitet e nëntëdhjeta të fundshekullit të kaluar kur të gjithë po vraponin për një jetë më të mirë ekonomike në Perëndim, për shkak kushteve të vështira në trojet tona, ai vendosi të kthehet në vendlindje.
Këto ishin vitet kur po bëheshin kthesa të mëdha jo vetëm në vendin tonë. Era e tranzicionit nga sistemi monist në atë pluralist i përfshiu edhe vendet tona. Trashëgimia e kaluar e sistemit monist do ta lëndoj thell shpirtin e njeriut. Jemi dëshmitarë se edhe për një kohë të gjatë nuk do të mund të lirohemi nga njëmendësit, sjelljet, të përceptuarit e gjërave nga trashëgimia e të kaluarës. Me një trashëgimi të këtill kulturore adoptimi në vlerat e sistemit demokratik është duke u bërë shumë i vështirë. Më së shumti që do të pësojnë nga të gjitha shtresat e shoqërisë në periudhën e tranzicionit do të jenë hoxhallarët. Kur të gjithë përpiqeshin të ballafaqoheshin me realitetet e reja të krijuara në periudhën post komuniste, të vetmit do të jenë hoxhallarët të cilët nuk do të tentojnë të mendojnë ndryshe, pa bërë përpjekje për të ndryshuar mentalitetin e vjetër për sa i përket organizimit fetarë. Në rrethana të këtilla shoqëroro historike shumë të vështira e filloi aktivitetin e vet hoxhë Jakup ef. Hasipi. Ndoshta ky është momenti vendimtarë ku ne duhet të vërejmë rolin dhe rëndësin e paraqitjes të figurës së hoxhë Jakupit. Ai ishte ndër të parët që solli një metodologji të re në mënyrën e të interpretuarit të Islamit. Deri në këtë kohë interpretimi i të vërtetave të islamit ishte shumë i kufizuar dhe ate, vetëm në disa aspekte selektive të tij, siç është fusha ibadetit – adhurimeve. Ligjëratat e hoxhë Jakupit në xhaminë e tij ishin një provokim për masën që të zgjohet nga letargjia më se gjysmë shekullore që i kishte kapluar besimtarët mysliman shqiptarë. Ato filluan ta provokojnë edhe masën intelektuale duke argumentuar se islami prodhon vlera universale dhe se ai është një alternativ për njeriun bashkëkohorë i ngarkuar nga njëmendësit e filozofisë materialiste. Posedonte forcën e argumentit dhe asnjëherë nuk frigohej ta thoshte të vërtetën. Kishte aftësi të shprehurit, me një bagazh të madhë të literaturës së lexuar që i mundësonte gjithnjë në ligjëratat e tij të jetë bindës dhe tërheqës. Kjo ishte arsyeja pse njerëzit ditëve të xhumasë kalonin me qindra kilometra për të prezentuar në ligjëratat që i mbante në xhaminë e tij.

Popullariteti dhe Rezistenca

Hoxhë Jakup Hasipi shumë shpejt do të bëhet i njohur me ligjëratat e tij në të gjitha viset shqiptare. Gjithnjë ishte në lëvizje, posedonte një energji të madhe për të vepruar. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës ishin bërë itinerarë i tij zakonshëm. Mbi pesë mijë ligjërata të mbajtura, Cd dhe kaseta të panumërta bënë të mundur që shpjegimet e tij mbi islamin të depërtojnë në shumë familje shqiptare.
Ky popullaritet kaq i madh për një kohë kaq të shkurtër, filloi të bëhet pengesë e shumë qarqeve të ndryshme të cilët ngritjen e tij nuk shikonin me sy të mirë. Çdo praktik e re e të menduarit sidomos në periudhën e transformimeve ballafaqohet me mospajtime dhe kundërshtime.
Një vështrim kritik dhe objektiv ndaj figurës së mulla Jakupit na detyron të flasim edhe për gjërat për të cilat ndoshta do të ishte më mirë të heshtet. Është e natyrshme që edhe idetë e mulla Jakupit të hasin në rezistencë nga shtresa dhe qarqe të caktuara të shoqërisë shqiptare, sidomos kur bëhet fjalë për mënyrën e interpretimit të islamit me koncepte të reja të cilat ai me mjeshtri të rrallë ia ofronte auditoriumit shqiptarë. Bindjet e disa njerëzve të formuara për islamin me prapavijë qëllimkeqe të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, kurrë nuk do të pajtohen me konceptet të cilat i shtjellonte mulla Jakupi mbi Islamin, dhe ndoshta deri në një masë të caktuar kjo ishte e kuptueshme, kur të merren për bazë rrethanat e formësimit të tyre ideorë dhe intelektual.
Parimisht do të duhej të mbetet shumë e pakuptueshme dhe jo e natyrshme, rezistenca dhe propaganda qëllimkeqe e disa qarqeve nga vetë hoxhallarët që ia shkaktuan veprimtarisë së mulla Jakupit. Kjo është ajo ana e errët e medaljes kundër kësaj figure të pazëvendësueshme për sa i përketë domenit të ligjërimit ndoshta edhe për shumë kohë në mesin e shqiptarëve. Atakimet dhe nënçmimet nga më të ndryshmet për ta denigruar personalitetin e hoxhë Jakup ef. Hasipit nuk ndikuan në zbehjen dhe suksesin e aktivitetit të tij. Qëndrimi pranë të vërtetës duke u mbështetur në fuqinë e argumentit mundëson hapjen e shtigjeve të reja për depërtimin e të vërtetës sa do që e urrejnë të tjerët. Ende na janë të freskëta akuzat e pabaza dhe tendencioze të cilat me qëllim drejtoheshin drejt kësaj figure e cila dal nga dal po ngritej drejt zenitit. Përkundër gjithë këtyre ngjarjeve jo të mira që ndërlidhen me një periudh të jetës së tij, ai thoshte se muslimanët e kanë për detyrë të falin por jo edhe të harrojnë. Duke falur dhe mos harruar do të jemi më të përgjegjshëm ndaj vetës dhe shoqërisë, të kaluarës dhe të ardhmes. Kështu veprojnë vetëm ata që kanë një kulturë të gjerë të diturisë dhe imanit – besimit në All-llahun e Lartësuar, thellë të ngulitur në zemrën e besimtarit. Ne, hoxhallarët, duhet të mësohemi me kritikën dhe autokritikën objektive, sepse kjo na mundëson të shërojmë plagët, t’i evidentojmë dhe evitojmë pengesat e paraqitura në rrugë, nëse do të donim të jemi konkurrues të denjë me të tjerët që pa ndërprerë para syve tonë po sajojnë plane për zhdukjen e identitetit tonë fetarë islam.
Pengesë tjetër evidente në veprimtarinë e tij ishin edhe strukturat e ndryshme të sigurimit të qarqeve sllavo maqedonase, të cilat që nga fillimi me kujdes kujdestaronin veprimtarinë e mulla Jakupit. Shpesh ftohej në biseda të gjata informative. Ata e bënin punën e tyre, ndërsa hoxha i nderuar asnjëherë nuk luhatej nga këto presione dhe vazhdonte të bëntë punën e vet.
Pjesë e veçant e veprimtarisë së figurës karizmatike të hoxhë Jakupit, është periudha kur shqiptarët filluan rezistencën e armatosur ndaj forcave militare dhe paramilitare të maqinerisë ushtarake të Maqedonisë. Rezistenca e ushtarëve të UÇK-së në Sllupçan bëri jehonë të madhe te të gjitha trojet etnike shqiptare. Lufta e përgjakshme e ushtarëve shqiptarë në Sllupçan u bë dëshmi e qëndresës heroike për dëshirën dhe sakrificën e popullit shqiptarë për të jetuar i lirë dhe i barabartë me të tjerët, duke mos dashur asnjëherë të konsiderohen të përbuzur dhe të shtypur nga dikush tjetër. Pjesë e kësaj lufte dhe rezistence ishte edhe hoxhë Jakup ef. Hasipi i cili jo rallë herë shumë më herët në ligjëratat e tij kishte thirrur për përgaditje shpirtërore dhe fizike për këto momente vendimtare për popullin shqiptarë. Hoxhë Jakupi u gjendë pran popullit të tij edhe në paqe edhe në luftë, atëherë kur më së shumti popullata kishte nevojë për të.
Nuk do të kishim dëshiruar që të kalojnë vite të tëra që pastaj të shkruajm dhe të vlerësojmë figurën e mulla Jakupit, njësoj siç ka ndodhur me personalitete të shumta islame në të kaluarën. Mulla Idriz Gjilani, Hfz. Ali Ulqinaku, Ibrahim Dalliu, Rexhep Vok Tetova, Hoxha Tahsini e shumë të tjerë, veprimtaria e të cilëve për dekada të tëra kakan mbetur e heshtur. Duke vlerësuar këto figura të ndritshme të kombit tonë e vlerësojmë dhe i bëjmë shërbime vetvetës. Shërbimin më të madh populli ia bëri mulla Jakupit ditën e varrimit. Prezenca aq e madhe e masës për t’ia bërë nderimet e fundit hoxhë Jukup ef. Hasipit ishte dëshmia më e mirë për vlersimin që ia bëri populli veprimtarisë së hoxhë Jakupit.
Lusim All-llahun e Lartësuar që ta shpërblej hoxhën e nderuar për veprimtarinë e tij me Xhen – neti Firdevs.

Preshevë, Maj, 2006.