Home Aktuale UP mërdhin studentët

UP mërdhin studentët

210
0
SHARE

Studentët e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, shprehin shqetësimet e tyre për mungesën e ngrohjes. Ata, në rubrikën e përjavshme “Vox” të Radios Evropa e Lirë, tregojnë se si pasojë e mungesës së ngrohjes në sallat ku mbahen ligjëratat, shpeshherë numri i studenteve është i vogël.

Drilon Asllani, student në Fakultetin Juridik, thotë se tash për tash autoritet kompetente deri më tash nuk e kanë parë si problem ketë çështje.

“Qëkur kanë filluar ligjëratat nga tetori i këtij viti ne kemi probleme me ngrohje në sallat e fakultetit. Ne studentet jemi ata të cilët më së shumti prekemi nga kjo. Veç mungesës se ngrohjeve ka edhe dritare që nuk janë të rregulluara siç duhet. Ka raste që jemi në salla duke pritur për ligjërata, por profesorët mungojnë”, tha Asllanaj.

Para pak ditësh në Fakultetin Filologjik kanë nisur të bëhen disa renovime ku është bërë edhe ndërrimi i dritareve të vjetra. Studentet, por edhe vet profesorët janë ankuar duke thënë se këto punë është dashur të bëhen në kohën e pushimeve dhe jo tani kur koha është ftohur dhe kanë filluar ligjëratat.

Drin Kastrati student i këtij fakulteti, i cili kishte të veshur një pallto dimri, theksoi se nuk ka ngrohje në fakultet.

“Deri me tash nuk na ka thënë askush se a do të kemi apo jo ngrohje”, tha Kastrati.

Edhe Valona Krasniqi, studente e Fakultetit Ekonomik, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e ngrohje në fakultet është pengesë për mësim.

“Ne në fakultete nuk shkojmë për t’u ftohur, por për të mësuar. Nëse nuk ka ngrohje kemi për tu sëmurë e jo për të mësuar diçka”, tha Krasniqi.

Nëse ka mungesë të ngrohjes në fakultet nuk mund të ketë mbarëvajtje të procesit mësimor, thotë Arbesa Sula e cila studion për infermieri.

“Humb koncentrimi nëse është shumë ftohët. Edhe profesorët në një ambient te tillë nuk mund të rrinë, ndaj nuk kanë vullnet për ligjërata”, tha Sula.

Egzon Dragusha i cili studion në drejtimin menaxhment-informatikë në Fakultetin Ekonomik, thotë se në rast të mungese se ngrohjes në salla, mbajtja e ligjëratave do të jetë problem. Edhe Grevista Syla e cila studion në fakultetin e Edukimit mendon ngjashëm.

Sidoqoftë, reduktimet e ashpra me energji elektrike të cilat janë paralajmëruar se do të jenë gjatë muajve të dimrit, thuhet se mund të shkaktojnë telashe për ngrohtoren e qytetit. /REL/