Home Aktuale Ultimatum 48 orësh për shkarkimin e Jabllanoviçit dhe ligjin për Trepçën

Ultimatum 48 orësh për shkarkimin e Jabllanoviçit dhe ligjin për Trepçën

33
0
SHARE

Mijëra qytetarë sot në Prishtinë kanë protestuar me slloganin “Jabllanoviç jashtë – “Trepça” është e jona”.

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti në fjalën e tij i dha ultimatum qeverisë së Kosovës që deri të hënën të shkarkojë ministrin serb Aleksandër Jabllanoviç dhe të miratojë ligjin për mbrojtjen e minierës së Trepçës.

“Qeverisë së Isa Mustafës I japim afat 48 orë ultimatum deri të hënën me 26 janar në ora 16.00 deri të hënën qeveria e Isa Mustafa ka afat që ta shkarkojë Aleksandër Jabllanoviçin.  Deri në orën 16.00 është afati për të sjellë ligjin në Parlament për të mbrojtur Trepçën. Ky është sheshi i popullit ku mbrohet demokracia dhe liria”, theksoi Kurti.

Ai paralajmëroi se në rast se nuk merren këto vendime, më 27 janar do të vazhdojë protesta, por edhe demonstrata për largimin e Jabllanoviçit dhe shkarkimin e qeverisë së Isa Mustafa.

“Ju ftojë më 27 janar në ora 12.00 në sheshin Skënderbe që të demonstrojmë kundër qeverisë aktuale”, theksoi Albin Kurti.

Kurti ka thënë se një Qeveri që s’i ka punët mirë me minatorët dhe me studentët ajo Qeveri i ka ditët e numëruara.

“Jemi mbledhur për ta mbrojtur Trepçën, sepse Trepça është e jona e jo e Serbisë. Nëse falimenton Trepça, falimenton ekonomia e Kosovës. Shteti i Kosovës është në shërbim të bandave”, ka thënë Kurti.

Kurti ka ripërsëritur kërkesën për shkarkimin e mënjehrshëm të ministrit për Komunitete e Kthim, Aleksandër Jabllanoviç.

Gjatë protestës protestuesit kanë gjuajtur me gurë në drejtim të Qeverisë ku kanë thyer së paku një xham të ndërtesës.

Driton Çaushi, organizator i protestave në Gjakovë, para protestuesve në Prishtinë i ka kërkuar kryeministrit Isa Mustafa që ta shkarkojë ministrin Aleksandër Jabllanoviq.

“Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit tonë dhe ne nuk do të ndalemi. Kjo është koha e fundit që ju duhet ta shkarkoni ministrin Jabllanoviq”,ka thënë ai.

Ai tha se jehona e protestave të Gjakovës u përhap në gjithë Kosovën sepse qytetarët dolën në mbrojtje të vlerave të veta.

Ndërsa Nysrete Kumnova nga organizata “Thirrjet e Nënave” ka thënë se sot po i kujtohet viti 2000 kur gjithë Kosova ishte në protestë para teatrit kombëtar.

“I mbani mend nënat e Gjakovë, pse dolën, sepse na i vranë fëmijët, burrat, djemtë, vajzat, 12 mijë vetë, 12 mijë shqiptarë, u vranë, u masakruan, nga fashizmi i Serbisë, nga kriminelët serbë. 6 mijë konsideroheshin të zhdukur, në mesin e tyre edhe djali im i vetëm. A është e dhimbshme kjo. Nuk kemi luftuar për karrige, kemi luftuar për liri për paqe dhe për popullin. A kanë gjak këta njerëz që hyjnë në këtë ndërtesë”, ka thënë Kumnova. (INA)

Haradinaj: Pakënaqësia po rritet, qeveria ka mbetur pakicë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar në përfundim të protestës gjithëpopullore të thirrur në Prishtinë në Vetëvendosje dhe “Thirrjet e Nënave”, duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në numër shumë të madh.

Ndërkaq, ai ka harruar që të komentojë në lidhje me protestuesit e dhunshëm që demoluan një pjesë të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe lokaleve afariste në shesh.

“Falënderim të veçantë për anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që iu përgjigjën masovikisht nga mbarë Kosova ftesës sonë për protestën e sotme gjithëpopullore në Prishtinë”.

““Thirrjet e Nënave të Gjakovës”, minatorët e Trepçës, organizatat e dala nga lufta, qytetarët nga çdo cep i Kosovës, rinia, studentët, dhe shumë OJQ i dhanë madhështi protestës, e cila me të drejtë cilësohet si më masovikja pasluftës”.

“Pakënaqësia po rritet. Populli po bashkohet. Qeveria ka mbetë pakicë, dhe duhet ta kuptojë që pushteti nuk është i individëve, por i popullit”, ka thënë Haradinaj.

Limaj: Nëse nuk shkarkohet Jabllanoviqi, protestat do të shtohen

Lideri i NISMA-s Fatmir Limaj i cili ishte një prej protestuesve të sotëm tha se e përkrah ultimatumin dhënë Qeverisë Mustafa për shkarkimin e Jabllanoviqit deri të hënën në ora 16:00.

Nëse kjo nuk bëhet Limaj tha se kjo protestë do të jetë vetëm fillimi dhe se javën tjetër protesta do të jeë edhe më e madhe.

“Qeveria e Kosovës mendon që ka shumicën në Kuvend. Atje mund ta ketë por nuk e ka këtu në popull. Javën tjetër do të ketë protesta edhe më të mëdha nëse nuk plotësohen kushtet deri të hënën në ora 16:00 që të shkarkohet Jabllanoviqi dhe të sillet ligji për Trepçën në Kuvendin e Kosovës.

Unë e përkrahë këtë afatë pasi që edhe unë jam pjesë e popullit dhe kjo është kërkesë e tyre. Sidoqoftë unë i ftoj qytetarët për një protestë paqësore që ashtu siq e nisëm edhe ta përfundojmë”, ka përfunduar Limaj.