Home OPIONIONE “Ulica Slobodan Milošević”

“Ulica Slobodan Milošević”

87
0
SHARE
Nga Milaim Shefkiu – Lidershipi serb në Kosovë po vazhdon politikën e një komuniteti ngucakeq, që provokon në vijimësi stabilitetin e shtetit të Kosovës. Si fëmija i llastuar që kërkon bela në mbështetje të prindit, serbët e Kosovës nën direktivat e Beogradit dhe në prani të ndërkombëtarëve, po luajnë me ndjenjat e shqiptarëve në Kosovë.
Derisa për 15 vjetët e pasluftës u munduan t’i sfidojnë institucionet e Kosovës, duke krijuar struktura paralele dhe duke shkatërruar aty ku kanë mundur, elementin e shtetësisë së Kosovës, ditëve të fundit ata provokuan me emrin e Sllobodan Millosheviqit.

Asamblistët e Ranillugut e votuan një propozim-ide që njërës nga rrugët e kësaj qyteze, t’ia vënë emrin e ish-presidentit serb, atij që u quajt “Kasap i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.

Ky emër, natyrisht që është më i urryeri në Kosovë dhe rajon, për faktin se nën direktivat politike të tij u dogj Kosova, u vranë 13 mijë qytetarë, u dogjën qindra mijëra shtëpi, u dhunuan mijëra gra dhe u zhdukën mijëra të tjerë.

Pra, era e shkrumbit të këtij piromani u ndje gjithandej botës, ndërsa hasmërinë që e krijoj ai ndërmjet popujve në Ballkan, nuk do të shuhet për shumë vjet, ndoshta edhe kurrë, pavarësisht investimit të bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e asaj që po quhet “multietnicitet”.

Edhe pse u kundërshtua nga Prishtina, ideja e asamblistëve të Ranillugut, nuk i bën nder as kësaj komune e as komunitetit serb në Kosovë e Serbi.

Madje, sikur të ishte personalitet i pranuar, do të ishte Qeveria e Serbisë që do ta rehabilitonte Milloshevqin në ndonjë shesh, rrugë, apo bulevard të Serbisë. Madje në vendlindjen e tij, Qeveria serbe ia ka marrë edhe shtëpinë, ndërsa ka vite që ia ka internuar familjen në Rusi.

E kjo që ndodhi me asamblistët e Ranillugut, nuk perceptohet ndryshe, përveç provokim i radhës i Listës “Srpska” ndaj shtetit të brishtë të Kosovës.

Ndërsa, ajo që të irriton më shumë se vetë ideja e ligjvënësve komunalë, është heshtja e bashkësisë ndërkombëtare e cila, si zakonisht, kur bëhet fjalë për komunitetin serb, nuk bëzan.

Ka qenë më se e nevojshme që BE-ja, EULEX-i dhe ambasadat ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, të reagojnë ndaj këtij provokimi nacionalist, që devalvon investimin 15-vjeçar për krijimin e një shoqërie tolerante.

Mirëpo, si në rastin e “Krajl Millutinit” në Graçanicë, “Parkut të Paqes” në Mitrovicë, fyerjes së nënave të të zhdukurve në Gjakovë, etj., bashkësia ndërkombëtare e ka lëshuar në “silent”. E për shumëkënd, kjo heshtje konsiderohet e papranueshme, madje edhe si bashkëpjesëmarrje në provokimin e paqes.

Nëse i bëhet vetëm një digresion kësaj që po ndodh në Kosovë, për të bërë një analogji me Luginën e Preshevës, shihet se demokracia atje interpretohet ndryshe nga shteti serb.

Para disa muajve, asamblistët e Komunës së Bujanocit vendosën t’ia ndërrojnë emrin sheshit në qendër të qytetit, nga “Karagjorgje Petroviq” në sheshi “Skënderbeu”.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal në Beograd, e cila këtë vendim e shfuqizoi duke e konsideruar “provokim”, ndërsa po diskutohet që këtij sheshi t’ia lënë emrin “Sheshi i Tolerancës”.

Pra në Bujanoc, qytet që dominohet nga shqiptarët, serbëve u pengoi emri i “Skënderbeut” heroit kombëtar që ka luftuar kundër një perandorie që ka sunduar edhe mbi Serbinë. Ndërsa në Kosovë, ku varra ende kullon gjak, mundohen ta sjellin në kujtesë kriminelin afër viktimës.

Para kësaj përpjekje provokuese, që u refuzua natyrisht nga Prishtina, Lista Serbe me Qeverinë e Serbisë vendosën bustin e Krajl Millutinit në qendër të Graçanicës, një perandor që ka shtypur shqiptarët në Kosovë e Maqedoni gjatë shekullit XII.

Në objektin e komunës së Zveçanit, po ashtu serbët e atjeshëm, e kanë vendosur një fotografi gjigande të liderit çetnik, Drazha Mihajloviq, të hipur në kalë, ndërsa në Mitrovicë u vendos i ashtuquajturi “Park i Paqes” që pengon integrimin e qytetit.

Të gjitha këto reflektime të Listës Serbe, nuk e kanë në substancë integrimin dhe afrimin e komuniteteve, por ndarjen dhe hasmërinë ndërmjet dy popujve.

E nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron stabilitet, duhet të reagojë më fuqishëm ndaj këtyre provokimeve, në të kundërtën idetë si kjo “Ulica Sllobodan Millosheviq” sjellin konsekuenca të paparashikueshme dhe të padëshirueshme.