Home SPORT Tifozi që nuk qethet që 11 vjet shkaku i Liverpoolit, afër ta...

Tifozi që nuk qethet që 11 vjet shkaku i Liverpoolit, afër ta realizojë ëndrrën

113
0
SHARE

Në vitin 2003 vendosi të mos i qeth më flokët e tij. Arsyeja, për shumë kë e çuditshme, por për Ukë Krasniqin jetësore. Tifozi i flaktë i Liverpoolit pret që më 11 maj skuadra e tij e zemrës të shpallet kampione në Premierligë e ai t’i qeth flokët e tij pas 11 vjetësh pritjeje

Jo më kotë thuhet klub i zemrës. Klub për të cilin mund të bësh çkado e kurdo, pa u menduar shumë, duke qenë i mëshiruar me çdo emocion që të dhuron.

E, përderisa në shumë vende të botës jemi mësuar me tifozë që zhvishen ose që bëjnë ndonjë tatuazh në ndonjë bast për skuadrën e tyre të zemrës, në Kosovë është një tifoz që ka vënë një bast të veçantë me vetën e tij.

I flaktë pas Liverpoolit, Ukë Krasniqi, që nga viti 2003 nuk ka prerë flokët e tij. Asokohe, tifozi i ‘The Reds’, vendosi që gjersa Liverpooli të mos e fitojë titullin e Premierligës angleze, ai nuk do ta shoh me sy berberin e tij.

Dhe premtimin e mbajti për 11 vjet rresht. E, 11-ta duket me fat për Krasniqin. Përderisa shikoi fitoren e fundit 3:2 ndaj Norwich Cityt, Krasniqi po e mendon formën e tij të re të flokëve që do ta ketë pas 11 majit.

“Sigurisht se u gëzova pas kësaj fitoreje”, thotë për Express, Uka. “Është e shkruar në yje që Liverpool do të bëhet kampion këtë vit”, shtoi tutje tifozi i Liverpoolit.

Krasniqi rrëfen për gazetën se si ndodhi që tash e 11 vjet t’i rris flokët e tij, pa qenë kjo një stil i tij më parë.

uka1_9644
“Prej vitit 2003 e kam filluar spontanisht. Asokohe pata thënë se nuk i prej flokët pa u bë kampion. Gjëre tani, Liverpooli ka fituar të gjithë titujt e tjerë, përveç të kampionatit. Tani jemi afër ta fitojmë edhe atë”, tregon Uka. “Berberin e kam harruar”, shton tutje prishtinasi.

Gerrardi qon trofeun lartë, Ukës i bien flokët poshtë

Uka njoftoi se nëse gjërat shkojnë sipas planifikimeve të tij dhe të skuadrës së tij të zemrës, atëherë më 11 maj në një ngjarje të veçantë do t’i qeth flokët e tij.

“Edhe nëse shpallemi kampionë më herët, nuk do t’i prej flokët. Unë flokët do t’i prej kur (Steven) Gerrard do ta qoj lart kupën e ligës kundër Newcastle United më 11 maj”, thotë Uka.

Dita më e lumtur e jetës

Duke jetuar çdo emocion bashkë me futbollistët e Liverpoolit këtë edicion, Uka thotë se 11 maji do të jetë dita e tij më e lumtur në jetën e tij.

Jo pse do t’i rikthehet formës së tij të parapëlyer të flokëve, por do ta shikoj kapitenin e tij, Gerrard, duke ngritur trofeun e Premierligës për herë të parë në karrierën e tij.

“Nuk e di se si do ta përjetoj një moment të tillë, por besoj se do të jetë një nga ditët më të mira të jetës sime. Ka kohë që nuk e kemi fituar titullin!”, deklaroi Uka.uka1_9644
“Ky titull ka shumë vlerë për tifozët e shumtë të Liverpoolit në gjithë botën, njashtu dhe mua”, shtoi tutje tifozi i Liverpoolit.

Liverpooli është afër trofeut të parë të kampionit në Premierligë angleze që nga viti 1990, duke qenë pesë pikë larg Chelseat në renditje, tri xhiro pa përfunduar stinori.