Home SPORT Tifozët e Barçës përplasen me lojtarët: “T’ju vijë turp”!

Tifozët e Barçës përplasen me lojtarët: “T’ju vijë turp”!

66
0
SHARE

Ka tension të lartë te Barcelona me tokën që vazhdon të dridhet nën këmbët e të gjithëve. Tërmeti nisi me eliminimin në Champions nga Atletico Madrid e kur dukej se do të kishte qetësi, më të forta u bënë lëkundjet me humbjen shokuese ndaj Granadas. Nga super yje e idhuj, për një pjesë të tifozerisë blaugrana, lojtarët që aq shumë i kanë mbështetur në çdo ndeshje janë kthyer në njerëzit më të urryer. Për t’ia përplasur në fytyrë të gjithë vrerin e akumuluar në pak ditë, disa ultras i kishin zënë pritë lojtarëve të Barçës që u kthyen në Camp Nou pak pas mesnate për të marrë makinat dhe sendet personale pas kthimit nga ajo transfertë zhgënjyese.

“Si nuk ju vjen turp”, kjo ishte thirrja më pak banale drejtuar futbollistëve që mbërritën kokëulur, pastaj nuk munguan edhe të tjera, por që për çështje etike nuk mund të transmetohen. Neymar u prit me sharje e ofendime raciste, ndërsa Pinto ishte një nga më të kritikuarit, të cilit tifozët i treguan derën duke thënë se duhet të largohet menjëherë nga Barcelona. Ishte një skenë jo e hijshme, e ngjashme me atë që ndodhi të Mërkurën kur katalanasit u rikthyen nga Madridi pas eliminimit nga Champions League. “Jeni për të qeshur. Të gjithë duhet të përfundoni në rrugë dhe ti i pari, Zubi”, iu drejtua një tifoz i indinjuar drejtorit sportiv të Barcelonës. Më pas, edhe në dalje lojtarët dhe stafi teknik u përballën me të njëjtin grup tifozësh të revoltuar. Jordi Roura dhe Javier Mascherano ndalën makinat e tyre në tentativë për të qetësuar situatën, por tifozët këmbëngulën për të patur një takim vetëm me tre kapitenët.