Home Aktuale Thaçi: UNESCO do të vendosë në të mirë të Kosovës

Thaçi: UNESCO do të vendosë në të mirë të Kosovës

110
0
SHARE

Kosova dje e ka marrë dritën e gjelbër nga Këshilli Ekzekutiv i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, që anëtarësia e saj të diskutohet në Konferencën e Përgjithshme të kësaj agjencie e cila do të mbahet në nëntor.

Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, po thotë se vendimi i Bordit të UNESCO-s erdhi pasi institucionet kosovare e po ashtu edhe puna diplomatike u angazhuan shumë në këtë drejtim.

“Ka qenë një angazhim i diplomacisë dhe shtetit kosovar që të kërkojnë pikë në bordin ekzekutiv që Kosova të Anëtarësohet në UNESCO. Ne kemi dërguar mesazhe shumë të mira, tolerante dhe mirëkuptuese. Trashëgimia kulturore është vlerë e të gjithë neve”, ka thënë Thaçi.

Vendimi final drejt rrugëtimit të Kosovës për në një agjenci të rëndësishme të OKB-së, do të merret në Konferencën e Përgjithshme, saktësisht me 9 nëntor dhe Ministri Thaçi po premton se vendimi do të jetë në favor të Kosovës.

“Ne kemi kaluar një fazë shumë të rëndësishme të këtij rrugëtimi. Ne do të angazhohemi që Kosova të ketë mbështetje të mëtutjeshme edhe me 9 nëntor. Kosova është e njohur prej 111 shteteve dhe presim nga ato vende që të votojnë në favor të Kosovës. Është një situatë e favorshme në vendin tonë. Fokusimi ynë do të jetë te vendet që e kanë njohur Kosovën”, është shprehur ish kryeministri i Kosovës.

Ndër të tjerash ai po ashtu ka shtuar se kjo fitore e Kosovës, nuk do t’iu shërbejë partive politike për pajtim, ngase kjo fitore është e shtetit kosovar.

“Suksesi i Kosovës në UNESCO nuk është agjendë partiake, por është sukses i të gjithëve, është i shtetit”.

Intervistën e plotë të Ministrit Hashim Thaçi me drejtorin e informacionit të Klan Kosova, Gazmend Sylën, mund ta ndiqni në videon më poshtë.