Home Aktuale Thaçi premton akademi fluturimi në Aeroportin e Gjakovës

Thaçi premton akademi fluturimi në Aeroportin e Gjakovës

145
0
SHARE

Kemi një përkushtim serioz, për hapjen e një akademie të rëndësishme të fluturimit në Aeroportin e Gjakovës. Një akademi e tillë e fluturimit do të jetë më e madhja e këtij lloji dhe me cilësorja në rajonin tonë, pra në Ballkan. Këtu do të kenë mundësi të trajnohen njerëz nga Kosova, por edhe nga rajonin dhe më gjerë. Ky projekt fillimisht do të ketë një mundësi për hapjen e 100 vendeve të reja të punës dhe pastaj gradualisht të punohet edhe më tepër në këtë sektor.

Kështu ka premtuar kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës që i ka bërë sot Aeroportit të Gjakovës.

I shoqëruar nga ministrat Besim Beqaj, Bernard Nikaj, nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, si dhe nga drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, Thaçi theksoi se pas prezantimit të projekteve për Gjakovën, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendimet për Zonën e Lirë Ekonomike në Gjakovë, si dhe tani po punojmë seriozisht për riaktivizimin e plotë të Aeroportit të Gjakovës, një projekt ky, siç e cilësoi kryeministri, shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Unë kam besim të plotë se ky aeroport do të jetë shembull edhe për Kosovën, edhe për rajonin. Do të jetë edhe një ndihmesë e madhe edhe për Gjakovën, për gjithë rajonin e Dukagjinit, por edhe më gjerë”, ka theksuar Thaçi.

“Gjakova ka traditë, mundësi, potenciale dhe ky potencial duhet të vihet në jetë, duhet të punojmë bashkërisht, në mënyrë që të lëvizim përpara. Jam optimist se kjo do të ndodhë”, është shprehur Thaçi.

Ai ka falënderuar kryetaren e Komunës së Gjakovës, Kusari-Lila për bashkëpunimin, duke thënë se do të punojnë bashkërisht si Qeveri e Kosovës me autoritetet komunale, me mbështetjen e plotë edhe të miqve ndërkombëtar që të finalizojnë dhe të realizojnë këtë projekt të rëndësishëm.