Home Aktuale Thaçi në Pentagon: Merr mbështetje për transformimin e FSK-së

Thaçi në Pentagon: Merr mbështetje për transformimin e FSK-së

71
0
SHARE

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, janë takuar sot në Pentagon me nënsekretaren për Mbrojtje, Evelyn Farkas.

Në takimin me nënsekretaren Farkas është vlerësuar se ky vit do të jetë vendimtar për përfundimin e transformimit të Forcave të Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Thaçi ka theksuar se procesi i rishikimit të sektorit të sigurisë, dhe transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, bëhet me përkrahje dhe pajtim të NATO-s dhe SHBA-ve. Për përfundimin e këtij procesi, Thaçi ka marr mbështetjen e shtetit amerikan, thuhet në një kumtesë të MPJ-së.

Nga ana tjetër, Farkas ka theksuar se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen e plotë të SHBA-ve në fushën e sigurisë. Ndërsa, është theksuar se hapat e deritashëm të procesit të transformimit të FSK në Forcën e Armatosur të Kosovës e bëjnë më të sigurt rrugën e saj drejt anëtarësimit në programin e Partneritetit për Paqe si dhe në NATO.

Pas takimeve në Pengtagon, Thaçi ka zhvilluar takime të veçanta edhe me senatorin Chris Murphy dhe kongresmenin George Holding. Gjatë

qëndrimit në SHBA, zëvendëskryeministri do të marrë pjesë edhe në Lutjet e Mëngjesit me presidentin Barack Obama me ç’rast do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë të shtetit amerikan.

Ai do të takohet edhe me ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ku do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi në integrimet Euro-Atlantike të Kosovës si dhe luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Gjatë qëndrimit në Washington, Thaçi do të ketë takim edhe me ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright, si dhe me ekspertët e politikës së jashtme, si Morten Abramovitz dhe Jimmy Hooper.

Para se të udhëtojë për në New York, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendëskryeministri Thaçi do të mbajë një ligjëratë edhe në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare – “John Hopkins”.