Home Aktuale Thaçi beson në mandatin e tretë

Thaçi beson në mandatin e tretë

169
0
SHARE

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ambicia për mandatin e tretë, pas zgjedhjeve parlamentare që nuk prodhuan një qartësi, duke zgjatur kështu bllokadën politike në shtetin më të varfër të Evropës, shkruan agjencia e lajmeve Bloomberg në një tekst për Kosovën.

Ish shefi i UÇK-së dhe kreu i PDK-së po lufton të mbetet në pushtet kundër një blloku të partive sfiduese pasi ka fituar vetëm 37 vende në Parlamentin prej 120 ulësesh në zgjedhjet e qershorit. Ai po insiston se partitë tjera duhet t’i nënshtrohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese që thotë se PDK duhet të emërojë Kryetarin e Parlamentit, para se të procedohet me formimin e Qeverisë.

“Unë besoj se liderët partiakë do të vendosin interesin e vendit para interesave të tyre dhe të pajtohen për një zgjidhje që do të mundësojë formimin e institucioneve të reja”, tha Thaçi.

“Kjo bllokadë politike nuk do të ketë ndikim, por nëse zgjatet, një pikëpyetje do të formohet. Ne nuk kemi kohë të humbasim”, tha ai.

Bllokada po rrezikon stagnimin e zhvillimit të vendit me 1.8 milionë banorë. Kosova dëshiron t’i shesë asetet shtetërore dhe të tërheqë investitorë të jashtëm për të forcuar ekonominë e vlerësuar në 7 miliardë dollarë, ekonomi kjo që varet nga ndihma e jashtme dhe remitancat dhe ku standardi jetësor është sa një e dhjeta e mesatares së Bashkimit Europian, sipas Bankës Botërore.

Bisedimet për të vormuar Qeverinë u ndërprenë në korrik kur Gjykata Kushtetuese votoi për të rrëzuar ish Kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, i sapozgjedhur si Kryetar i Parlamentit.

Sipas Kushtetutës, Presidentja Jahjaga duhet të pyesë së pari partinë më të madhe në Parlament, në ktë rast atë të Thaçit, për të formuar Qeverinë, por vetëm pas emërimit të Kryetarit të Parlamentit dhe formimit të institucioneve parlamentare.

Sapo të marrë mandatin, Thaçi do të ketë 15 ditë për të emëruar kabinetin e ri dhe të përpiqet të marrë votën në parlament, para se mandati t’i kalojë të zgjedhurit të dytë, që mund të jetë përsëri vetë Thaçi.

Nëse ai ka sukses në tërheqjen e disidentëve nga partitë tjera, përfshirë ata të bllokut sfidues, ai mund të formojë një shumicë të nevojshme për Qeveri, thotë Naim Rushiti, analist politik nga Prishtina.

Megjithatë, përderisa nuk ka një afat përfundimtar se sa shpejt duhet të formohet Parlamenti ose të zgjedhet kryetari i Parlamentit, bllokada mund të zgjasë deri në pakufi.

“Nuk shoh se Qeveria do të formohet së paku edhe për dy-tre muaj”, tha Rashiti .

Thaçi dëshiron të transferojë 1.5 miliardë euro kesh në vend, të cilat ai thotë se aktualisht gjenden jashtë shteti, me të cilat ai ka premtuar të krijojë qindra mijëra vende pune.

“Jam i përkushtuar të çojë vendin përpara përmes vizionit të cilin e kam paraqitur, për të hapur 200 mijë vende të reja pune, për zhvillim ekonomik për perspektivë evropiane dhe për NATO”, tha Thaçi.

“Jam optimist se mund ta arrijmë këtë si dhe të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë”. /swissinfo.ch/