Home Aktuale Tërnava fton të rinjtë shqiptarë në luftërat në Siri e Irak të...

Tërnava fton të rinjtë shqiptarë në luftërat në Siri e Irak të kthehen në vendlindje

129
0
SHARE

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava është i bindur se në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk ka njerëz ekstremistë, se përndryshe sipas tij nuk do t’i lejonte asnjë minutë brenda.

Por myftiu Tërnava pranon se në Kosovën pas luftës, sipas tij disa imam po mundohen të shpjegojnë një islam më ndryshe.

“Po sigurisht po them ka edhe disa imamë jo shumë, pak imamë, të cilët kohëve të fundit, them këta pas luftës, kryesisht mundohen ta shpjegojnë islamin pak më ndryshe duke u munduar që vërtetë të largohen nga ajo çka është bazë dhe këtë ta kompensojnë në emër të asaj kulture të cilën e kanë marrë nga vende dhe e kah kanë studiuar dhe Bashkësia Islame e Kosovës, është e shqetësuar për këtë dhe nisur nga ky parim ne kemi mbajtur shumë takime”, tha Tërnava.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Tërnava, ndër të tjera ka folur edhe për shkuarjen e disa personave për të luftuar në Siri, dhe thotë se njerëzit që shkojnë për të luftuar në Siri, nuk ka asnjë bazë dhe parim islam.

Gjatë një interviste në televizionin publik të Kosovës, Tërnava ka ftuar që të gjithë të rinjtë që luftojnë në Irak dhe Siri të kthehen në Kosovë. Ai tha se BIK dhe institucionet e Kosovës do të mundësojnë riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Unë edhe njëherë shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë ata të rinj të cilët janë të përfshirë në luftë sot në Siri e disa edhe në Irak që ata të kthehen, e bëjë këtë thirrje edhe si Myfti i Republikës së Kosovës, e bëjë këtë thirrje edhe si një prind që ata të kthehen”, tha Tërnava.

Ai tha se në Irak dhe Siri nuk po zhvillohet luftë e shenjtë dhe sipas tij këta të rinj janë mashtruar nga grupe dhe individë të caktuar të cilët sipas tij nuk i duan të mirën Kosovës.