Home Aktuale Sulmi ndaj u.d. të kryetarit të komunës së Medvegjës është sulm ndaj...

Sulmi ndaj u.d. të kryetarit të komunës së Medvegjës është sulm ndaj shqiptarëve, kërkohet OSBE-ja në Medvegjë

601
0
SHARE

Medvegjë 13 janar – Incidenti i djeshëm që ka ndodhur gjatë mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal të Medvegjës me ç’rast është sulmuar fizikisht ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës Florim Sahiti nga një grup qytetarësh serbë (simpatizantë të Partisë Përparimtare Serbe) sot ka tubuar në Medvegjë në një takim konsultativ pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës por edhe të Medvegjës.

Në këtë takim, ndër të tjerë ishin prezentë: lideri i Partisë për Veprim Demokratik, njëherit deputeti popullor Riza Halimi, deputeti popullor Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu, kryetari i degës së PVD-së në Medvegjë, Fehmi Beha, kështilltarët shqiptarë të komunës së Medvegjës, përfaqësuesi i partisë politike UDSH, Rexhep Abazi, përfaqësuesit e shoqatës humanitare “Medvegja” nga Zvicëra si dhe vetë u.d. së kryetarit të komunës, Florim Sahiti.

Duke hapur takimin, kryetari i degës së PVD-së në Medvegjë, Fehmi Beha falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe përkrahje duke theksuar se shqiptarët e Medvegjës gjithmonë kanë pasur nevojë për përkrahje që nga vitit 1999 por se tani pas incidentit që ka ndodhur dje kanë nevojë për përkrahje edhe më të madhe duke e quajtur këtë “kohë të vështirë për shqiptarët”. Kryetari Beha, njoftoi të pranishmit me ngjarjet që kanë ndodhur në meskohë që nga vdekja e kryetarit tani të ndjerë Sllobodan Drashkoviq e deri tek incidenti i djeshëm kur fizikisht është sulmuar z. Florim Sahiti.

“Është për çdo gjykim ajo çfarë ka ndodhur. Kjo shumë rrallë ndodhë, për ambientin tonë është hera e parë. Sulmi ndaj Florim Sahitit është sulm ndaj pushtetit lokal por duke marrë parasysh ambientin shumetnik, merr edhe dimension plotësues” tha lideri i PVD-së, njëherit deputeti popullor, Riza Halimi. Sipas tij, kërkesa është që seanca e ardhshme e cila është paraparë të mbahet nesër nga ora 11-të të mbahet në ambient normal. “Ju drejtohem të gjitha strukturave të sigurojnë ambient normal të seancës së kuvendit”, tha Halimi.

Tendenca e djeshme e shkatërrimit të seancës së Kuvendit komunal që mund të përsëritet edhe nesër ka për qëllim që në këtë komunë të futen masat e përkohshme tha deputeti popullor Shaip Kamberi duke shtuar se në organin e përkohshëm pozita e shiptarëve atëherë nuk do të jetë e njëjtë sikurse që është sot. “Ne do të jemi këtu me juve jo vetëm në këtë rast por në të gjitha rastet tjera. Është e padiskutueshme që sulmi i djeshëm ka karakter etnik. A janë vetëm huliganë apo janë turmë e organizuar e njerëzve, besoj se e gjithë ajo që ka ndodhur dje e ka prapaskenën e motivimit politik të lutës për pushtet në këtë komunë”, tha Kamberi.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu këto raste nuk ndodhin rastësisht. Ai këtë e konsideron si skenar të organizuar mirë. “Sapo mora lajmin kuptova që sulmi ka qenë ndaj shqiptarëve, sulmi është ndaj Medvegjës, ndaj këtyre pak shqiptarëve që kanë mbetur në Medvegjë. “Unë ju përgëzoj për organizimin që keni bërë me forcat tuaja, ju me vota të qytetarëve keni ardhur, shqiptarët ju kanë pruar këtu edhe pikërisht duhet të mbrohen ata shqiptarë që ju kanë pruar këtu”, tha Musliu. Ai shtoi se së shpejti Këshilli Kombëtar Shqiptar do të hapë një zyrë në Medvegjë e cila do të komunikojë me Preshevën dhe Bujanocin por e cila në të njëjtën kohë do të jetë në koordinim edhe me Prishtinën dhe Tiranën. Me këtë rast ai njoftoi të pranishmit se seanca e ardhshme e Këshillit Kombëtar do të mbahet në Medvegjë ndërsa disa herë përsëriti mbështetjen e parezervë që do të ketë Medvegja nga ky Këshill.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës Florim Sahiti sulmin ndaj tij e quajti si sulm ndaj të gjithë shqiptarëve. “Ajo që ndodhi dje nuk ka të bëjë me koalicionin por është sulm i drejtuar kundër shqiptarëve. Po të mos ishin kamerat të cilat kanë xhiruar tërë ngjarjen unë prapë do të shpallësha fajtor, sikurse që jam shpallur fajtor prej problemeve që kemi pasur me xhandarmerinë, me burgosjen e vëllaut tim etj. domethënë të gjithë presionin që e bën regjimi serb kundër meje, do të isha fajtor edhe dje”, tha Sahiti. Sipas tij, këtë e dëshmon fakti që së bashku me të nga salla ka dalur shefi i administratës komunale i cili nuk është sulmuar nga turma e huliganëve (sipmatizantë të Partisë Përparimtare), ndërsa atij i janë vërsulur të gjithë. “Po të kishin diçka kundër pushtetit, pse nuk e sulmuan atë të parin?! Ju e dini që ndaj familjes time gjithmonë ka pasur presion. Për mua të gjithë këshilltarët serbë janë të njëjtë, ne kur flasim për koalicion, ne na intereson se kush u ofron shqiptarëve më shumë. Me koalicionin e fundit, ma merr mendja se kemi arritur goxha shumë”, tha Sahiti. Me këtë rast ai kritikoi policinë pasiqë sipas informatave të tij, sulmuesi kryesor posedon armë, ndërsa i njëjti dje nuk është paraqitur në polici, nuk është arrestuar por as nuk i janë konfiskuar armët. “Unë jam i mendimit që duhet të gjithë së bashku të kërkojmë edhe prej OSBE-së edhe prej ambasadave të ndryshme që të vijë një mision, ose OSBE-ja ta hapë një zyre se ndaj shqiptarëve të Medvegjës ka shumë presion”, tha Sahiti.

“Mendoj se duhet t’i mbështesim përfaqësuesit shqiptarë, ndonëse vij nga një parti tjetër, në këtë rast i mbështes përfaqësuesit shqiptarë, në krye me zotëri Sahitin që këta edhe më tutje të vazhdojnë të kryejnë detyrën si përfaqësues shqiptarë në këtë kuvend. Besoj që institucionet e komunës do të ofrojnë sigurinë, ne nuk mund të bëjmë siguri, nuk është në kompetenca tona por nëse nuk ka siguri, sigurisht që seanca nuk do të mbahet as nesër”, tha përfaqësuesi i UDSH-së në Medvegjë Rexhep Abazi. Ai shoti se nëse edhe një herë u ipet mundësia atyre që nuk kanë të bëjnë me kuvendin të hyjnë në kuvend atëherë nuk mund të llogaritet se këtu funksionon shteti, funksionojnë ligjet. “Pavarësisht se si do të shkojnë gjërat në Kuvendin komunal neve shqiptarëve na është dhënë një sinjal shumë i qartë që duhet të mendojmë se si të veprojmë më tutje. Ne shqiptarët interesat e kombit duhet t’i kemi në radhë të parë” tha Abazi.

Në takim ishin prezentë edhe përfaqësuesit e shoqatës humanitare Medvegja nga Zvicëra. “Sapo kemi ndëgjuar për këtë rast të shëmtuar ndaj institucioneve që është bërë dje, kemi marrë rrugën për të qenë prezentë këtu në Medvegjë. Këtë akt e denojmë sepse është i drejtuar drejtpërdrejt kundër institucioneve, por edhe në bazë të xhirimeve që i kemi parë është më tepër i drejtuar ndaj përfaqësuesve shqiptarë të komunës së Medvegjës” tha sekretari i shoqatës Fadil Selmani. Ai shtoi se kjo është një vazhdimësi e skenarit të mëhershëm për largimin e shqiptarëve nga këtu. “Dënojmë fuqishëm dhunën dhe i përkrahim përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Medvegjës që janë këtu prezentë, por edhe popullatën civile këtu. Sipas mendimit tonë, akti që ka ndodhë dje kërkon që në Medvegjë urgjentisht të kthehet misioni i OSBE-së dhe t’u drejtohet organeve të rendit që të sigurojnë qytetarët e vetë por edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që Medvegja ka nevojë për shpëtim, për mbrojtje fizike”, tha Selmani.

“Ne gjithmonë kemi thënë se lehtë është të jesh shqiptar në Bujanoc dhe në Preshevë, vështirë është të jesh shqiptar në Medvegjë dhe kur keni bërë participim në pushtet, si parti, ne ju kemi përkrahur. Një numër prej 6 këshilltarësh nuk është pak dhe besoj se keni bërë shumë mirë që keni hyrë në pushtet”, tha ish kryetari i Këshillit Kombëtar, Galip Beqiri.

Në fund të takimit të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që do ta mbështesin Partinë për Veprim Demokratik pa rezervë për formimin e koalicionit të ardhshëm me qëllim të vazhdimit të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve. (mepress.info)