Home Aktuale Studentët e Luginës: “Dilema për USHT dhe UEJL”

Studentët e Luginës: “Dilema për USHT dhe UEJL”

95
0
SHARE

Studentë dhe maturantë nga Lugina e Preshevës kërkojnë që Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe ai i Evropës Juglindore në Tetovë të sqarojnë qartë se a do të zgjidhin çështjen e vendqëndrimit dhe hyrjes në Maqedoni, pas peripecive të mëdha burokratike dhe odiseadave të kthimit dhe depërtimit nga pikat kufitare nga ana e autoriteteve kufitare maqedonase.

Një grup studentësh dhe maturantë kanë folur për agjencinë e lajmeve INA për këtë problematikë, duke kërkuar që dy universitetet të marrin përsipër çështjen e rregullimit të qëndrimit dhe studimit, që studentët të mos ballafaqohem me probleme të mëdha burokratike.

“Ata tani po shpalosin ofertën, mirëpo duhet ta kenë parasysh se gjatë muajve të fundit janë të njohura peripecitë e kthimit dhe depërtimit të neve studentëve në kufi. Bile ajo që është më skandaloze ka pasur rast që disa studentëve në pasaporta u janë vulosur ndalesa për hyrje në Maqedoni, për një periudhë të caktuar. Kjo është skandaloze dhe këto universitete duhet të lehtësojnë procedurat, duke bashkëvepruar me institucionet apo ministritë përgjegjëse”, theksoi për INA, studenti me inicialet N.S nga Presheva.

Ata theksojnë se për të siguruar vendqëndrimin e kërkuar për 6 muaj duhet shkuar në ambasadën e Maqedonisë në Beograd, ku duhet plotësuar shumë dokumente e procedura, dhe se gjithë kostoja e harxhimeve shkon mbi 500 euro.

“Apelojmë që të sqarojnë këtë punë dhe të mos vijnë këtu për të na bindur për t’u regjistruar, kur e shohim se do të përballemi sërish me problemet e njëjta, për shkak se nuk ka zgjidhe ligjore. Edhe familjarët tanë janë lodhur me peripecitë nëpër kufij, në këtë kohë , kur nuk duhet të kemi ndalesa e kufij për studentë”, theksojnë studentët nga Presheva.

Me probleme të njejta përballen edhe studentë nga Kosova që studjojnë në këto dy universitete në Tetovë.

Delegacione nga USHT së fundi kanë qëndruar në Luginën e Preshevës ku kanë prezantuar ofertën e tyre akademike për vitin 2014/2015 para maturantëve të këtij rajoni. (M.P/INA)