Home OPIONIONE Shumë pyetje për kryeministrin Isa Mustafa

Shumë pyetje për kryeministrin Isa Mustafa

199
0
SHARE
Nga Behgjet Pacolli – Pothuajse çdo qytetar do ta pyesë të parin e vendit, kryeministrin Isa Mustafa, me shpresë se ky i fundit do të reflektojë për situatën e palakmueshme, me shumë probleme, në të cilën gjendet tani vendi ynë.
Kosova gjendet në një situatë kritike. Rinia i ka humbur besimin dhe shpresën dhe nuk do të jetojë më në Kosovë. Ajo është duke kërkuar mënyra për ta braktisur me çdo kusht Kosovën.

Mbi këto pyetje duhet të reflektojë çdo aktor politik në Kosovë e, pakushtimisht, edhe opozita parlamentare.

Pse vajtët në Bruksel pasi patët thënë se nuk do të udhëtoj në Perëndim para liberalizimit të vizave?

Ju jeni kryeministër i vendit dhe ju shkoni në Perëndim për punë, pra jo për shëtitje. Pse duhej ta thoshit një gjë të tillë?

Pse duhet lënë fajin Perëndimit për izolimin e Kosovës? Tetë kushtet e paplotësuara që pengojnë integrimin e Kosovës nuk janë thjesht teknike, por edhe politike.
Pse Qeveria nuk i lufton krimin dhe korrupsionin?

Pse nuk janë arrestuar peshq të mëdhenj të lidhur me korrupsionin? Rasti i “Grand”-it ishte dëshmia më e mirë si kriminelët ndihmohen nga politika.
Pse keni grabitur pronën e qytetarit, vetëm pse ky i fundit kundërshtoi që t’ua paguante haraçin kriminelëve ordinerë apo sekserëve, prej 3.6 milionë eurosh?
Si mendoni të hyni në Evropë, me dhunë, me korrupsion, me institucione të kontrolluara nga mafia? Jo, zoti kryeministër, kështu jo!
Pse nuk funksionon drejtësia për çështjet e biznesit dhe të investitorëve?
Pse ju dështoi Brezovica?

Pse privilegjuat një ofertues që nuk respektoi kontratën duke anashkaluar ofertuesit e tjerë?

Pse nuk e anuluat atë tender dhe nuk krijuat kushte të barabarta edhe për ofertuesit e tjerë? Si do të mendojnë të tjerët që e “humbën” garën për Brezovicën?
Pse nuk e ndalët “AKP”-në, e cila po i mban peng pasurinë dhe fabrikat e Kosovës, e nga ana tjetër po pasurohen njerëz të caktuar, të afërt, në kurriz të pronës së Kosovës, e ndërtuar me mund dhe djersë nga baballarët tanë?

Pse bllokuat funksionalizimin e zonave të lira ekonomike në Gjakovë e Mitrovicë?

Pse nuk punoni të krijoni perspektivë ekonomike dhe prodhuese në Kosovë në vend të “armatimit” të doganave dhe reformave tuaja fiskale që po e rëndojnë jetën (edhe pse të vështirë) e qytetarit? E dini se sistemi doganor në Kosovë ka jetë të shkurtër?

Pse e fundosët gjigantin më të madh mineral në rajon, “Trepçë”-n? Premtuat që brenda 45 ditëve, pas formimit të Qeverisë suaj, do ta miratonit ligjin për “Trepçë”-n.
Pse i keni mbyllur mundësitë e punësimit në institucione për ata që nuk janë mbështetës të partive tuaja? Në fakt, ju kushtëzoni punësimin e qytetarëve me kalimin në LDK/PDK.
Kush janë anëtarët e kryesuesit e bordeve të kompanive publike e agjencive të ndryshme? Njerëzit e partive tuaja, kryeministër.

Pse dëshmoni se ka një investitor që po vjen në Kosovë dhe po e ndërton me investimet e veta një termocentral 600 mgw, kryeministër? Nuk ekziston ky investitor.
Nëse duhet që Kosova të paguajë për këtë objekt, atëherë ndërroni kushtet tenderuese, në mënyrë që ofertuesit e impiantit të trajtohen njësoj. Këtu do të arrihej një çmim shumë më i volitshëm.

Deri kur t’i paguajë Kosova budallallëqet e njerëzve të paditur si në rastet e tjera të mëhershme?
Pse nuk ka rritje ekonomike?
Pse nuk ka ardhje të investitorëve?
Pse po ikin edhe ata që ishin dikur?
Pse?
Pse kryeministër, pse?!
Pse po shkatërrohen ambienti jetësor, natyra, malet nga gurthyesit, lumenjtë pa shtretër e të helmuar nga kanalizimet e mbeturinat?

Pse nuk mirëmbahen rrugët në të cilat është harxhuar mund e para e që tani po shkatërrohen në mungesë të mirëmbajtjes?

Pse Kosova është përmbytur në mbeturina? Pse?
Pse po lejoni që Kosova të bëhet edhe më e pajtueshme? Po ju mungon vizioni, nuk po i shihni problemet, apo po ju mungon dëshira për të punuar apo respekti e dashuria për vendin dhe popullin?

Pse, kryeministër, në qeverisjen tuaj janë krijuar standarde të dyfishta apo, më mirë të them, keni legjitimuar kriminalizimin e drejtësisë?
Kryeministër, në politikë, a duhet të ketë sinqeritet, korrektësi, a duhet një përfaqësues institucional ta mbajë fjalën e dhënë? Çfarë po ndodh me premtimet tuaja ndaj qytetarëve të Kosovës?
Pse, kryeministër, nuk mundësuat implementimin e rezolutës në mënyrë që presidenti të zgjedhet nga populli?
Pse s’hiqen barrierat midis dy vendeve, Kosovës e Shqipërisë?

Nuk di kujt po i intereson statuskuoja, gjegjësisht kjo situatë në Kosovë, kjo koniunkturë biznesi, partnerësh tregtarë të Kosovës, ku Serbia mbetet partner kyç.
Kryeministër, faktori kohë është faktor i rëndësishëm. Sot Serbia është mobilizuar për ta kundërshtuar çdo zgjidhje. Dikur ishte më e lehtë. Ku e ka zgjidhjen Qeveria juaj?

Kryeministër, kthejeni perspektivën për qytetarët e Kosovës, rendin dhe ligjin!
Kthejeni dinjitetin në Kosovë, ju lutem, kryeministër!

Kosova duhet të shndërrohet në një realitet ekonomik të suksesshëm, të vetëmjaftueshëm, në një vend të jetueshëm e të dashur për fëmijët tanë. Kjo është sfida që arrihet vetëm me përkushtim, dashuri, profesionalizëm, sinqeritet e angazhim intensiv. Kjo është edhe sfida e miqve tanë perëndimorë për Kosovën evropiane.