Home Aktuale Shqiptarëve të veriut u ndërpritet transporti

Shqiptarëve të veriut u ndërpritet transporti

147
0
SHARE

Banorët shqiptarë të lagjes “Kodra e Minatorëve” në veri të Mitrovicës, kanë probleme të shumta të cilat po ua vështirësojnë jetën, por që më kryesorja është ai i shkaktuar këto ditë, me ndërprerjen e transportit të tyre nga veriu në jug të qytetit dhe anasjelltas raporton KP.

Në lidhje me këtë, ata kanë kërkuar ndihmë nga komuna në jug të Mitrovicës, me ç’rast janë takuar me nënkryetarin, Safet Kamberi, për problemet aktuale që ata i preokupojnë, veçanërisht sa i përket qarkullimit dhe lëvizjes së lirë.

 

Gani Hyseni, përfaqësues i banorëve të kësaj lagje, tha se shqiptarët që jetojnë në këtë lagje veriore kanë shumë probleme, por mungesa e transportit po ua vështirëson jetën tej mase.

 

“Nga e premtja na është ndërprerë transporti falas, që na ishte mundësuar me qëllim që të kemi lidhje me farefisin dhe të furnizohemi në pjesën jugore të qytetit. Shefja e deritashme e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, Adriana Hoxhiq, na ka thënë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e ka ndërprerë financimin e qarkullimit të këtij autobusi, me arsyetimin se nuk ka mjete. Ajo na ka thënë se në këtë situatë nuk ka ndonjë zgjidhje dhe se tani duhet të bisedohet me drejtuesit e ri të komunës në veri të Mitrovicës”, ka thënë Hyseni.

 

Sipas tij, më së shumti do të dëmtohen nxënësit e kësaj lagje, të cilët rrezikohen të mos mbajnë mësim të rregullt për shkak se arsimtarët nuk kanë si të transportohen deri në shkollë dhe anasjelltas.

 

“Kemi ardhur të kërkojmë ndihmën tuaj për t’ na bërë ndonjë zgjidhje. Me kryetarin serb të posa zgjedhur të komunës në veri të Mitrovicës nuk kemi kontakte dhe nuk dimë se si do ia bëjmë”, theksoi ai.

 

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, tha se i kupton plotësisht brengat e këtyre banorëve dhe se do të bëj çmos që të ndihmoj në zgjidhjen e këtij problemi jetësor për ta.

“Do të kontaktoj përfaqësuesit e MAPL-së për të kërkuar që transporti të vazhdoj. Po ashtu do të kërkoj edhe nga ministritë tjera që të ndihmojnë në zgjidhjen e kë tij problemi, ashtu sikur që do të angazhohet edhe vet komuna”, ka thënë mes tjerash Kamberi, raporton KP./LuginaPress/