Home Aktuale Shqiptarët e Luginës, të parët për azil

Shqiptarët e Luginës, të parët për azil

101
0
SHARE

Raporti i parë i FRONTEX për 2015-n, tregon se 1847 shqiptarë kërkuan azil në vetëm pesë javët e para të këtij viti, çfarë përfaqëson 236 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

1668 vetë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani, 106 në Suedi, 52 në Belgjikë, 15 në Zvicër dhe 2 në Luksemburg. Rritja “befasuese” e aplikimeve nga shtetasit shqiptarë, sipas analizës së kësaj agjencie evropiane me seli në Varshavë, ndikoi për rritjen domethënëse të kërkesave të përgjithshme të regjistruara në Gjermani, që kryeson pesë vendet më të prekura të zonës “Schengen”, me 90 për qind të aplikimeve të bëra në tërësi për azil nga qytetarët e rajonit dhe mbetet destinacioni më i pëlqyer për shqiptarët dhe serbët, raporton Top Channel.

“Krahasuar me periudhën e mëparshme të raportuar, Gjermania regjistroi një rritje domethënëse të aplikimeve me 57 për qind, më së shumti për shkak të rritjes befasuese të aplikimeve nga shqiptarët, 122 për qind. Kërkesat për azil në katër vendet e tjera anëtare të BE-së mbetën në nivel të ulët, me renditjen e Suedisë në vend të dytë, duke raportuar një rënie prej 48 për qind krahasuar me Dhjetorin e 2014-s”, thuhet në raport.

Vëzhgimi i parë me pritshmëri negative në raportin e 50 të FRONTEX-it flet për kthim të ritmit të rritjes së azilkërkuesve nga pesë vendet e rajonit përfituese të regjimit pa viza në zonën “Schengen”. Gjithsej, raportohet për 5539 aplikime gjatë 5 javëve të para të vitit, çfarë shënon një rritje prej 39 për qind, krahasuar me dhjetorin e 2014-s.

Por, me gjithë rritjen e ndjeshme të azilkërkuesve shqiptarë, FRONTEX vlerëson se Serbia vijon të kryesojë aplikimet nga 5 vendet përfituese të Ballkanit me 42 për qind (2334 kërkesa), e ndjekur nga Shqipëria 33 për qind, Maqedonia 12 për qind, Bosnja 11 për qind dhe Mali i Zi me vetëm 2 për qind.

“Gjatë kësaj periudhe të raportuar, shqiptarët janë kombësia me rritjen më të lartë, prej 93 për qind krahasuar me Dhjetorin e 2014-s. Kjo ishte periudha e dytë radhazi e raportuar për normën më të lartë të rritjes së regjistruar nga shtetasit shqiptarë. Duhet përmendur se malazezët regjistruan një përqindje më të lartë të rritjes, megjithatë shifrat e tyre mbeten 15 herë më të ulëta, krahasuar me shqiptarët. Pavarësisht rritjes relativisht modeste, prej 18 për qind të numrit të aplikimeve, shtetasit serbë vazhdojnë të renditen të parët për kërkesat e azilit në Janar të 2015-s. Gjermania konsolidoi pozicionin e saj si destinacioni numër një për shtetasit serbë, me 93 për qind të aplikimeve në tërësi. Në të kundërt, numri i kërkesave të bëra në Suedi nga serbët ra me 53 për qind, pas një periudhe kërkesash të larta. Me 659 aplikime në Janar të 2015-s, shtetasit e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë zëvendësojnë ata të Bosnje-Hercegovinës, duke u renditur vendi i tretë pas Serbisë dhe Shqipërisë”, thuhet në raport.

Por, ndërsa u regjistruan 1847 aplikime të reja për azil nga shtetas shqiptarë, për të njëjtën periudhë, 5 vendet më të prekura evropiane kthyen 327 persona drejt Tiranës, duke u renditur të parët ndër 5 vendet përfituese të rajonit, me një shifër gati sa gjysma e numrit të përgjithshëm të të kthyerve drejt Ballkanit.

Luksemburgu është i vetmi vend, që nuk ka asnjë të kthyer me detyrim, por vetëm 8 vullnetarisht. Nga Gjermania, vetëm një person është larguar me dëshirën e tij (gjatë periudhës së studimit), ndërsa 75 të tjerët janë kthyer me forcë. Zvicra shënon numrin më të lartë me 95 të kthyer, 84 ndër të cilët janë riatdhesuar me detyrim, ndërsa 11 të tjerë kanë lënë territorin vullnetarisht. Suedia renditet e dyta për numrin më të lartë të të kthyerve të raportuar këtë fillimviti drejt Shqipërisë, me 93 raste, ku 66 janë kthyer vullnetarisht dhe 27 me forcë. Belgjika radhitet e parafundit ndër 5 vendet evropiane të shqyrtuara, me 55 të kthyer, 47 prej tyre me vullnet të lirë dhe 8 sipas procedurës për kthim të detyrueshëm.

Vëzhgimi tjetër negativ në analizën e FRONTEX-it është se, gjatë 2014-s në përgjithësi pati 50 për qind më shumë kërkesa për azil se gjatë 2013-s dhe se shqiptarët kryesojnë aplikimet e deritanishme të vitit 2015.

“Pesë vendet më të prekura anëtare të BE-së dhe ato të asociuara në marrëveshjen Schengen trajtuan 5539 aplikime deri më tani në 2015-n. Kjo shifër është 37 për qind më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë në 2014-s. Rritja e përgjithshme udhëhiqet nga shifrat e larta në Gjermani (+38 për qind) dhe aplikimet e bëra nga shtetas të Shqipërisë (+236 për qind), të Malit të Zi (+47 për qind) dhe të Serbisë (+24 për qind)”.

Vetëm maqedonasit dhe boshnjakët regjistruan më pak azilkërkues gjatë 2014-s, krahasuar me vitin paraardhës, ndërkohë që Luksemburgu raportoi shifrat më të ulëta të kësaj periudhe, krahasuar me vitin e kaluar. Suedia trajtoi 51 për qind kërkesa më shumë, Zvicra vetëm 9 për qind më shumë dhe Belgjika 5 për qind më tepër.

Dokumenti i siguruar nga TCH përpilohet për Komisionin Evropian në kuadër të mekanizmit monitorues, të ngritur nga BE në vitin 2010, pas liberalizimit të vizave me 5 vendet e Ballkanit.