Home Aktuale Shpend Kursani: Skamja e padrejtësia po i detyrojnë qytetarët të dalin në...

Shpend Kursani: Skamja e padrejtësia po i detyrojnë qytetarët të dalin në protesta

792
0
SHARE

Analisti Shpend Kursani, vlerëson se fakti që qytetarët e Kosovës kanë filluar të protestojnë, shumë më shpesh, nëpër rrugët e Kosovës, tregon se ata nuk po e anashkalojnë edhe rrugën si mundësi për zgjidhjen e problemeve të përditshme, më të cilat ballafaqohen nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Ai ka thënë për Telegrafin se “shikuar edhe nga një këndvështrim tjetër, edhe marrja e rrugës drejtë Hungarisë është protestë në vete, e edhe marrja e rrugës drejtë Sirisë është protestë tjetër në vete”.

“Protestat, të cilat pothuajse janë bërë të përditshme, janë rebelim ndaj gjendjes së vështirë socio-ekonomike që po mbretëron në vendin tonë. Qytetarët e frustruar nga skamja e padrejtësia, po zgjedhin forma të ndryshme të reagimit (protesta është njëra nga mënyrat). Protesta është sa e nevojshme po aq edhe e domosdoshme, për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Por, më e mira protestë është kur ndodh brenda rrugëve të Kosovës, e jo jashtë saj”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, të gjitha sistemet e sotme demokratike dhe të zhvilluara në perëndim, janë produkt i protestave të ashpra qytetare, duke shtuar se nuk do të mund të përshkruhet zhvillimi i Gjermanisë dhe i Anglisë së sotme, pa përpjekjet në rrugë të qytetarëve të tyre.

“Protestat që janë konsistente dhe pa dorëheqje nga to, në shumicën e rasteve kanë rezultuar në progresin shoqëror dhe zhvillimin afatgjatë, si të demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare në procese politike dhe vendimmarrje, po ashtu edhe në rritjen e frikës së sistemit ndaj qytetarit. Protestat e fundit dhe ato të paralajmëruara në Kosovë, do të mund të jenë të frytshme vetëm nëse nuk hiqet dorë nga to, dhe në qoftë se përkrahen edhe nga masa qytetare, intelektualë dhe shoqëria civile”, ka konstatuar Kursani.