Home LAJME SHBA, thirrje Rusisë të tërheqë trupat në kazerma

SHBA, thirrje Rusisë të tërheqë trupat në kazerma

146
0
SHARE

Presidenti Barak Obama tha sot në Uashington se Rusia po përpiqet që me anë të forcës të ndikojë mbi vendet fqinje dhe jo se është e interesuar për qytetarët rusë në Krime.

Presidenti Obama tha se SHBA janë mëse të gatshme të punojnë me komunitetin ndërkombëtar dhe me Rusinë për zgjidhjen e problemeve që lidhen me Ukrainën. Ai tha se do të flasë sot me udhëheqës të vendeve të tjera partnere rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përcolli të njëjtin mesazh por me tone më të forta në Kiev të Ukrainës, duke i bërë thirrje Rusisë të tërheqë trupat nëpër kazerma dhe t’i japë fund shkallëzimit të situatës në Krime.

Zoti Kerry ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e dënojnë aktin e agresionit të qeverisë ruse dhe qëndrojnë përkrah popullit të Ukrainës.

Duke folur në ambasadën amerikane në Kiev, zoti Kerry tha se Rusia ka zgjedhur rrugën e frikësimit, të mashtrimit dhe të provokimit duke fshehur dorën. Ai hodhi poshtë deklaratat e Rusisë se parlamenti i Ukranës është jo legjitim. Zoti Kerry tha se parlamenti është institucioni më përfaqësues sot në Ukrainë.

Duke iu referuar presidentit të rrëzuar Viktor Jnukoviç, sekretari amerikan i shtetit tha se ai e braktisi vendin dhe popullin e tij. Zoti Kerry mohoi pohimet ruse se Kievi po destabilizon gjendjen në gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ai tha se ushtarët e Ukrainës në Krime nuk kanë provokuar dhe nuk kanë shkrehur një armë. Zoti Kerry i bëri thirrje Rusisë që të përdorë diplomacinë dhe jo forcën për zgjidhjen e problemeve. Ai tha se sot ka shumë institucione për zgjidhjen e çështjeve të tilla.

Nëse Rusia nuk është e gatshme ta bëjë këtë, paralajmëroi Sekretari i Shtetit, “ne nuk kemi alternativë tjetër por ta izolojmë Rusinë politikisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht.”

Putin: Rusia ka të drejtë të përdorë forcën në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se vendi i tij është i përgatitur të përdorë të gjitha alternativat për të mbrojtur rusët në Ukrainë, por shton se ai shpreson të mos i duhet të përdorë forcën.

Këto komente zoti Putin i bëri sot, ndërsa kriza lidhur me praninë ushtarake ruse në rajonin e Krimesë të Ukrainës po rritet. SHBA dhe aleatët e tyre evropianë po shqyrtojnë mundësinë e sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të dërgimit të trupave në Ukrainë.

Presidenti Putin tha se ata që po shqyrtojnë munësinë e sanksioneve duhet të konsiderojnë dëmin që ata vetë do të vuajnë nga këto masa.

Në komentet e tij të para në publik që kur presidenti ukrainas Viktor Yanukovych u largua nga Kievi, udhëheqësi rus e cilësoi ndryshimin politik në Ukrainë, një grusht shteti jo kushtetues dhe shtoi se zoti  Yanukovych vazhdon të jetë udhëheqësi i ligjshëm, edhe pse nuk ka të ardhme politike.

Sekretari i Shtetit John Kerry mbërriti sot në Kiev, për t’u takuar me anëtarët e qeverisë së përkohëshme dhe për të theksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin e Ukrainës.

Zoti Kerry premtoi një ndihmë prej 1 miliardë dollarësh për Ukrainën.  Ndërkohë, zoti Putin urdhëroi dhjetra mijëra trupat që merrnin pjesë në manovra ushtarake në perëndim të Rusisë, pranë kufirit me Ukrainën, të ktheheshin në bazay e tyre. Manovrat ishin në plan të përfundonin dhe është e paqartë në se ky veprim synonte lehtësimin e tensioneve. Moska ka mohuar që manovrat, të cilat filluan javën e kaluar, kishin të bënin me situatën në Ukrainë.

LEAVE A REPLY