Home Aktuale Serbia mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës

Serbia mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës

150
0
SHARE

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin mars prej 7 milionë eurosh, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Eksporti mbulon importin 11.4%, e ajo çka kosovarët eksportojnë më së shumti janë metalet. Serbia edhe më tej mbetet vendi që eksporton më së shumti në Kosovë.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2014 ishte në vlerën 23,1 milionë euro, ndërsa importi 202,4 milionë euro. Kjo tregon një rritje prej 0.1% për eksportet si dhe një rritje prej 3.7% për importet, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.

Sipas të dhënave, 43.9% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (17.5%) produktet minerale dhe 6.8% ushqimet e përgatitura pijet dhe duhani, raporton RTK.

Ndërsa, sipas të dhënave 15.8% të importit e përbëjnë produktet minerale, 13.4% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.3% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, e kështu me radhë.

Partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me marsin e vitit 2013 janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 38.8% për eksportet dhe 43.1% për importet. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 47.0% për eksport dhe 28.2% për import.

Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali (21.2%), Serbia (14.4%), Shqipëri (13.8%), Maqedonia (12.4%), Indi (8.8%), Mali i Zi (5.2%).

Ndërsa, sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia (14.8%), Gjermania (10.5%), Turqia (10.4), Italia (7.1%), Kina (6.3%), Greqia (5.9%), dhe Maqedonia (5.7%)